Skip to content
Kryesore

Nga 350 mijë eurot nga trafiku i drogës te dekonspirimi i operacioneve policore/ Si përfundoi dosja e Erzen Breçanit me kërkesën e papritur të Prokurorisë për pushimin e çështjes?

· 3 min lexim

Tre vite pas arrestimit të bujshëm të ish-drejtuesit të Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, Gjykata e Tiranës e ka shpallur atë të pafajshëm për akuzat e pastrimit të parave dhe përkrahjes së autorit të krimit.

Por ajo që ngre pikëpyetje është se pushimin e çështjes e kishte kërkuar vetë Prokuroria e Tiranës, ndërkohë që SPAK kishte përfunduar hetimet dhe ngritur akuza konkrete, të mbështetura në komunikimet e Sky ECC dhe dëshmitë e administruara gjatë hetimeve.

Breçani u arrestua në nëntor të vitit 2023, në kuadër të operacionit “Metamorfoza 2”. Sipas dosjes hetimore, ish-zyrtari i policisë dyshohej se kishte investuar 350 mijë euro, të përfituara nga aktiviteti i trafikut të drogës së djalit të tij, Eralbi Breçani, në hidrocentralin “Drita”.

Në komunikimet e zbardhura nga Sky ECC, Breçani diskutonte me të birin për sigurimin e parave për investimin, ndërsa në biseda të tjera rezultonte se kishte dijeni për aktivitetin e dyshuar kriminal të tij. Madje, e paralajmëronte për rrezikun e humbjes së pasurisë së familjes.

Vetë Breçani i kishte mohuar akuzat, duke pretenduar se financimin e hidrocentralit e kishte siguruar nga vëllai i tij.

Por akuza e SPAK nuk kufizohej vetëm te pastrimi i parave. Sipas materialeve hetimore, Breçani dyshohej se kishte dhënë informacione mbi operacionet policore, duke ndihmuar Bujar Ajetin dhe Nuredin Dumanin t’i shmangeshin arrestimit.

Në dosje përfshihej edhe dëshmia e Dumanit, i cili pretendonte se kishte takuar personalisht Breçanin dhe i kishte siguruar një telefon me aplikacionin Sky ECC për të marrë informacione mbi operacionet e policisë.

Në janar të vitit 2024, Apeli i GJKKO-së la në fuqi edhe vendimin për sekuestrimin e hidrocentralit “Drita”.

Në gusht të po atij viti, SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim. Në shkurt të vitit 2025, Gjykata e Posaçme shpalli moskompetencën për gjykimin e Breçanit, duke ia kaluar çështjen Gjykatës së Tiranës.

Dhe pikërisht këtu historia merr një tjetër drejtim. Nga një dosje me komunikime të Sky ECC, dyshime për pastrim parash, sekuestrim pasurie dhe dekonspirim të operacioneve policore, përfundojmë me vetë organin e akuzës që kërkon pushimin e çështjes.

Çfarë ndodhi me komunikimet e Sky ECC? A u verifikua origjina e 350 mijë eurove? A u dokumentua burimi i ligjshëm i financimit të hidrocentralit? Çfarë rezultoi nga verifikimi i pretendimeve për dekonspirimin e operacioneve policore? Mbi çfarë argumentesh Prokuroria e Tiranës ndryshoi qëndrimin e organit të akuzës?

Pas vendimit të gjykatës, Breçani deklaroi:

“Drejtësia foli, drejtësia u vu në vend.”

Por nëse drejtësia u vu në vend sot, çfarë kishte bërë SPAK deri dje?

Nëse materialet hetimore ishin të pamjaftueshme, SPAK duhet të shpjegojë mbi çfarë bazash ngriti akuzat. Nëse gjatë procesit gjyqësor dolën prova që rrëzuan pretendimet e SPAK, Prokuroria e Tiranës duhet të bëjë të ditur se cilat ishin ato.

‘Pafajësia’ e papritur e Breçanit nuk e përjashton përgjegjësinë e institucioneve për të shpjeguar se si një dosje e kësaj natyre, pas tre vitesh, përfundoi me kërkesën për pushim nga vetë organi që duhej të përfaqësonte akuzën.