Skip to content
Kryesore

Rama sulmon administratën e Tiranës, Bashkia i kthehet: Nuk jemi prona jote!

· 3 min lexim

Përplasja mes Edi Ramës dhe Bashkisë së Tiranës merr një tjetër kthesë. Pas deklaratave të Ramës në Asamblenë Socialiste, ku pretendoi se punonjës të administratës bashkiake shkarkohen sepse nuk i bëjnë “like” dhe “share” Erion Veliajt, Bashkia e Tiranës ka reaguar ashpër, duke e akuzuar për ndërhyrje politike, presion ndaj administratës dhe përpjekje për të imponuar kontroll mbi institucionin vendor.

Në reagimin zyrtar, Bashkia i kujton Ramës se nuk është institucion në varësi të tij dhe se autonomia vendore mbrohet nga Kushtetuta dhe ligji.

Përplasja nuk kufizohet më te emërimet apo shkarkimet në administratë. Bashkia ngre një akuzë më të rëndë politike: se masa e sigurimit personal ndaj kryebashkiakut të zgjedhur, Erion Veliaj, po shfrytëzohet për të dobësuar autoritetin e tij institucional dhe për të vendosur kontroll politik mbi Bashkinë e Tiranës.

Në deklaratë përmendet shprehimisht neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015, që garantojnë autonominë e qeverisjes vendore. Bashkia thekson se vendimmarrja për administratën nuk mund të diktohet nga preferencat personale të Ramës.

Reagimi vjen në një moment kur përplasjet brenda mazhorancës po bëhen gjithnjë e më të hapura. Rama, i cili për vite ka pasur në krah Veliajn si një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste, tashmë përballet me akuza publike nga vetë institucioni që drejtohet nga kryebashkiaku socialist.

Deklarata e plotë e Bashkisë së Tiranës:

“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioze se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fund zgjedhësve të saj”.

Përplasja nxjerr në pah një konflikt që tashmë nuk zhvillohet vetëm brenda Partisë Socialiste, por edhe në nivel institucional. Nga njëra anë, Rama ngre pretendime për shkarkime të motivuara nga besnikëria ndaj Veliajt; nga ana tjetër, Bashkia e akuzon për presion politik dhe ndërhyrje në kompetenca që ligji ia njeh pushtetit vendor.

Në qendër të konfliktit mbetet një pyetje thelbësore: Kush e drejton Bashkinë e Tiranës, kryetari i zgjedhur nga qytetarët apo Rama përmes ndikimit të tij politik?