Skip to content
Kryesore

Lara Colturi shkruan historinë, triumfi i parë i Shqipërisë në Kupën e Botës në ski

· 1 min lexim

Lara Colturi ka shënuar një arritje historike për sportin shqiptar, duke fituar për herë të parë një garë të Kupës së Botës në ski alpine. Skiatorja 20-vjeçare, që përfaqëson Shqipërinë, triumfoi këtë të shtunë në disiplinën e slalomit në Gurgl të Austrisë, duke siguruar një sukses të paprecedentë për vendin.

Colturi përfundoi dy zbritjet me kohën e përgjithshme 1 minutë, 45 sekonda e 47 të qindtat, duke lënë pas dy konkurrentet suedeze. Sara Hector u rendit e dyta, vetëm 27 të qindtat e sekondës më ngadalë, ndërsa Anna Swenn Larsson përfundoi në vendin e tretë, me 30 të qindtat diferencë.

Kjo është fitorja e parë e Colturi-t në karrierën e saj në Kupën e Botës, pas disa ngjitjeve në podium dhe dy vendeve të dyta në garat e para të sezonit.

Triumfi në Austri vjen vetëm një javë pasi skiatorja që garon nën flamurin kuqezi u rendit e dyta në slalomin e Levi-t, në Finlandë.

Me këtë fitore, Lara Colturi bëhet sportistja e parë që i dhuron Shqipërisë vendin e parë në një garë të Kupës së Botës në ski alpine, duke hapur një kapitull të ri në historinë e sporteve dimërore shqiptare.