Spiropali doli kundër Ramës, Veliaj e sulmoi nga burgu: Rama përjashton nga PS ish-kryetaren e Kuvendit dhe avokatin e Veliajt, Plarent Ndrecën

Edi Rama ka konfirmuar përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga Partia Socialiste, pas përplasjeve të fundit brenda mazhorancës. Spiropali ka dalë publikisht kundër mënyrës së drejtimit të partisë dhe qeverisjes, ndërsa Ndreca është avokati i Erion Veliajt, i cili vetëm një ditë më parë sulmoi nga burgu Ramën dhe Belinda Ballukun.
Gjatë Asamblesë Socialiste të Tiranës, Rama deklaroi se të dy janë përjashtuar, megjithëse në mbledhjen e 14 nëntorit në Gjirin e Lalzit nuk pati votim për largimin e tyre.
“Avokati i Veliajt i adresohet shkresërisht Bashkisë së Tiranës duke firmosur si drejtues politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku s’do të tolerohet më askush që sillet me popullin si e ëma e Zeqos në majë të thanës”, tha Rama.
Përjashtimi i Spiropalit vjen pas kritikave të saj ndaj Ramës dhe përplasjes së drejtpërdrejtë në Asamblenë e kaluar. Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko kundërshtuan largimin e saj nga forumet drejtuese të PS-së.
Ndërkohë, përjashtimi i Ndrecës konfirmohet vetëm një ditë pas letrës së Veliajt nga burgu, ku ky i fundit kritikoi Ramën dhe ironizoi ndikimin e Ballukut mbi institucionet. Pas publikimit të letrës, në qelinë e Veliajt u ushtrua një kontroll i befasishëm, të cilin Ndreca e cilësoi përpjekje për intimidim.
Dy përjashtimet vijnë në kulmin e përplasjeve të brendshme socialiste, ndërsa mbetet e paqartë se cili organ partiak ka marrë vendimin, kur propozimi i Ramës nuk ishte hedhur në votim.
Spiropali kritikoi Ramën, Veliaj e sulmoi nga burgu, ndërsa Rama konfirmoi largimin nga PS-ja të ish-kryetares së Kuvendit dhe avokatit të Veliajt.