Skip to content
Kryesore

Plagosi me drapër babanë e ish-partneres, lihet në burg daja i deputetes Zegjine Çaushi

· 2 min lexim

Gjykata e Fierit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për 52-vjeçarin Bledar Bakaj, dajën e deputetes socialiste Zegjine Çaushaj, i dyshuar se plagosi me drapër babanë e një 34-vjeçareje, e cila më herët kishte denoncuar se ishte mbajtur kundër dëshirës së saj dhe ishte dhunuar seksualisht.

Vendimi u mor këtë të hënë nga gjyqtarja Bora Shaholli, pas kërkesës së Prokurorisë së Fierit. Bakaj dyshohet për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.

Ngjarja ndodhi në fshatin Suk të Roskovecit, ku 52-vjeçari dyshohet se shkoi në banesën e familjes Grëmi për të marrë sërish me forcë vajzën 34-vjeçare. Babai i saj, 67-vjeçari Enver Grëmi, kundërshtoi veprimet e Bakajt dhe përplasja përfundoi me plagosjen e tij në këmbë me drapër, siç raporton gazetari i Top Channel, Neritan Trifoni.

Por dëshmia e 67-vjeçarit zbulon pretendime për ngjarje të mëparshme, të cilat janë objekt i hetimeve.

Sipas babait të vajzës, gjithçka nisi disa muaj më parë, kur Bledar Bakaj iu afrua familjes duke premtuar se do ta ndihmonte 34-vjeçaren të gjente një vend pune. Vajza vuante nga anemia dhe kishte probleme shëndetësore.

Më 26 maj, babë e bijë shkuan në Spitalin Rajonal të Fierit për një vizitë mjekësore. Sipas dëshmisë së Enver Grëmit, pas daljes nga spitali, Bakaj e mori vajzën me vete, duke i thënë të atit se do ta transportonin me ambulancë drejt Tiranës.

Për 45 ditë, familja nuk pati asnjë kontakt me 34-vjeçaren.

Pas kthimit në banesë, vajza u tregoi prindërve se ishte mbajtur kundër vullnetit të saj dhe ishte dhunuar seksualisht. Më pas, ajo kërkoi edhe urdhër mbrojtjeje në polici.

Pavarësisht kësaj, sipas dëshmisë së babait, Bakaj u rikthye në banesën e familjes në Suk, duke tentuar ta merrte përsëri 34-vjeçaren. Kundërshtimi i 67-vjeçarit solli konfliktin fizik dhe plagosjen e tij.

Prokuroria e Fierit vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, përfshirë pretendimet e ngritura nga familja Grëmi.

Ndërkohë, Gjykata ka vendosur që Bledar Bakaj, daja i deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushaj, të qëndrojë në burg deri më 17 dhjetor 2026, sipas afatit të përcaktuar në vendimin për masën e sigurisë.