Skandal në shkollë në Vlorë! Shtatë vajza të mitura denoncojnë mësuesin për ngacmim seksual

Një rast i rëndë është denoncuar në një shkollë në Vlorë, ku shtatë nxënëse të mitura, të moshave 14 deri në 17 vjeçe, kanë kallëzuar mësuesin e tyre të edukimit fizik për ngacmim seksual brenda ambienteve të institucionit arsimor.
Vajzat kanë denoncuar se 35-vjeçari, i cili kishte për detyrë edukimin dhe kujdesin ndaj nxënësve gjatë orëve mësimore, i ka ngacmuar seksualisht pikërisht në ambientet ku ato duhet të ndiheshin të sigurta dhe të mbrojtura.
Pas kallëzimeve të shtatë nxënëseve dhe veprimeve hetimore, policia ka ndaluar shtetasin A. A., 35 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë mësues i edukimit fizik.
Në njoftimin zyrtar, policia konfirmon:
“Në Vlorë, u ndalua shtetasi A. A., 35 vjeç, banues në Vlorë, mësues i edukimit fizik në një shkollë, pasi kanë kallëzuar 7 nxënëse të kësaj shkolle, të moshave 14–17 vjeçe, se ky shtetas i ka ngacmuar seksualisht në ambientet e shkollës”.
Rasti ngre shqetësime serioze për sigurinë e fëmijëve në institucionet arsimore dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e tyre nga çdo formë abuzimi.
Fakti që shtatë vajza të mitura kanë denoncuar të njëjtin mësues e bën veçanërisht të rëndësishëm hetimin e plotë të ngjarjes, për të përcaktuar rrethanat, përgjegjësitë dhe nëse ka pasur sinjalizime të mëparshme që nuk janë trajtuar.