Rama lidh Shqipërinë për 20 vjet me kontratë 6 miliardë dollarë për gazin që s’ka ku ta çojë! Rrezik arbitrazhi dhe detyrime financiare që u rëndojnë shqiptarëve e qeverive të ardhshme

Gjashtë miliardë dollarë për gazin, 20 vite angazhime dhe një vend që nuk ka ende rrjet funksional për ta shpërndarë. Kjo është marrëveshja energjetike e qeverisë Rama me kompaninë Aktor, e cila, sipas analistit Neritan Sejamini, rrezikon ta përballë Shqipërinë me një tjetër arbitrazh ndërkombëtar. Një kontratë që shtrihet përtej mandatit të qeverisë aktuale dhe që ngre shqetësime serioze për barrën financiare që mund t’u lihet shqiptarëve dhe qeverive të ardhshme.
Analisti Neritan Sejamini, në emisionin “Opinion” në Tv Klan, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se marrëveshja është nënshkruar për t’i bërë favore politike administratës së Donald Trump dhe ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pa marrë parasysh nevojat reale të Shqipërisë.
“6 miliardë total. Qeveria shqiptare, për ta pasur mirë me ambasadoren apo për t’u afruar me administratën Trump, nënshkroi një kontratë për të marrë gaz të lëngshëm nga Greqia, kur ne s’kemi nga ta çojmë gazin, s’kemi as rrjet gazi, as nuk kemi konsum gazi. E morëm sa për t’i bërë nder dhe bëmë një kontratë me idenë që po e shkruajmë kontratën, sa të ikë Trumpi, po e grisim kontratën.
Ndërkohë, që “Wall Street Journal”-i, e cila e hapi gjithë historinë e ambasadores (amerikane në Greqi), kishte një artikull që nuk pati jehonë në Shqipëri çuditërisht, ku kompania Aktor, që ka lidhur kontratën me Albgaz-in shqiptar, ka thënë që qeveria shqiptare dhe Albgaz-i do t’i qëndrojnë kontratës, ndryshe venë në arbitrazh. Pra, në qoftë se ne nuk do t’i blejmë tani në vitin 2030 për nja 20 vjet gaz nga Aktor, na çon në arbitrazh dhe Aktor-i na ka marrë 40 e ca milionë euro në arbitrazh para marrëveshjes”, deklaroi Sejamini.
I pyetur se ku do të përfundojë gazi, ai ironizoi:
“Do e çojmë në Kosovë. Albini s’e merr nga amerikanët, do e marrë nga Tirana, me bidona”.
Marrëveshja u nënshkrua më 28 prill 2026, në prani të kryeministrit Edi Rama dhe ambasadores Guilfoyle, mes kompanisë shtetërore Albgaz dhe Aktor LNG USA. Ajo parashikon furnizimin me rreth 1 miliard metra kub gaz në vit, duke nisur nga viti 2030, për një periudhë 20-vjeçare. Vlera e deklaruar e furnizimeve arrin në 6 miliardë dollarë.
Por ndërsa qeveria firmos marrëveshje miliardëshe, Shqipëria ende nuk ka një treg kombëtar funksional të gazit. Raportet e OECD dhe Komunitetit të Energjisë kanë evidentuar mungesën e infrastrukturës së brendshme të shpërndarjes, ndërsa gazsjellësi Fier–Vlorë, terminali LNG dhe projektet e tjera mbeten të lidhura me investime që duhet të realizohen.
Absurditeti ekonomik qëndron pikërisht këtu: qeveria angazhohet për furnizime 20-vjeçare, ndërkohë që infrastruktura dhe tregu që duhet t’i përdorin ato ende nuk janë funksionale.
Dhe kjo nuk është e vetmja kontradiktë.
The Wall Street Journal raportoi më 14 tetor se vetë Ministria shqiptare e Energjisë kishte shprehur pasiguri për leverdishmërinë ekonomike të projektit dhe priste një studim të plotë fizibiliteti. Në të njëjtën kohë, avokatët e Aktor e konsiderojnë marrëveshjen detyruese dhe të mbrojtur nga mekanizmat e arbitrazhit ndërkombëtar.
Pra, qeveria shqiptare nuk ka ende qartësi të plotë mbi përfitimin ekonomik, ndërsa pala tjetër deklaron se marrëveshja duhet respektuar. Një rend vendimmarrjeje që ngre pyetjen se pse angazhimet tregtare u morën përpara se të sqarohej përfundimisht leverdishmëria e projektit.
Madje, Aktor nuk është një emër i panjohur në historinë e arbitrazheve shqiptare. Në Deklaratën e Risqeve Fiskale 2024, Ministria e Financave ka regjistruar një detyrim të mbetur prej 42,472,629 eurosh nga arbitrazhi Copri–Aktor kundër Autoritetit Rrugor Shqiptar, lidhur me ndërtimin e rrugës Tiranë–Elbasan, krahas 225 mijë eurove shpenzime ligjore.
Një konsorcium ku merrte pjesë Aktor është përfshirë kështu më parë në një konflikt kontraktual që i ka kushtuar shtetit shqiptar dhjetëra milionë euro. Sot, një marrëveshje tjetër me një strukturë të grupit Aktor shoqërohet sërish me paralajmërimin e arbitrazhit.
Por historia bëhet edhe më problematike kur shqyrtohet mënyra se si u përgatit marrëveshja.
Sipas investigimit të The Wall Street Journal të 25 shtatorit, Kimberly Guilfoyle zhvilloi në mars 2026 një vizitë të papublikuar në Tiranë, ku takoi Edi Ramën, e shoqëruar nga drejtuesi i Aktor, Alexandros Exarchou, dhe lobisti Christos Marafatsos. Gazeta shkruante se ambasadorja kishte udhëtuar pa personel të ambasadës amerikane dhe se gjatë takimit ishte diskutuar bashkëpunimi energjetik.
Marafatsos ishte angazhuar nga Aktor si lobist në Shtetet e Bashkuara që prej nëntorit 2025. Sipas regjistrave federalë të cituar nga WSJ, kompania i kishte paguar 160 mijë dollarë deri në qershor 2026 për krijimin e lidhjeve me Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Shtetit dhe Departamentin e Energjisë.
Pak javë pas takimit të papublikuar, në Tiranë u firmos marrëveshja miliardëshe.
Kjo kronologji e vendos qeverinë përballë një pyetjeje të pashmangshme: mbi çfarë kriteresh ekonomike u zgjodh Aktor dhe çfarë alternativash u shqyrtuan përpara se Shqipëria të angazhohej për dy dekada?
Investigimet mbi marrëdhëniet e Guilfoyle me kompaninë shkaktuan reagime në SHBA. WSJ raportoi në tetor se Donald Trump kishte kërkuar largimin e ambasadores, ndërsa senatorja Jeanne Shaheen dhe kongresmeni Gregory Meeks kërkuan shqyrtimin e veprimtarisë së saj, përfshirë lidhjet me bizneset, takimet dhe çështjet e etikës. Guilfoyle i kundërshtoi akuzat për parregullsi.
Ndërkohë, sipas raportimeve ndërkombëtare, Ukraina kishte ndërprerë negociatat me Aktor, ndërsa kompania rumune Transgaz kishte deklaruar se memorandumi i saj kishte skaduar. Për Shqipërinë, përkundrazi, Aktor këmbëngul te karakteri detyrues i marrëveshjes.
Edhe dimensioni tregtar i marrëveshjes ngre pikëpyetje. Aktor, përmes bashkëpunimit me DEPA, ka siguruar furnizime nga kompania amerikane Venture Global për t’i shitur në tregjet e rajonit, përfshirë Shqipërinë dhe Bosnjën. Grupi ka parashikuar rreth 1.8 miliardë euro të ardhura para tatimit gjatë 20 viteve nga portofoli më i gjerë i marrëveshjeve të LNG-së.
Kompania greke ka një model të qartë biznesi dhe përfitimi. Ajo që mbetet e paqartë është përfitimi ekonomik i Shqipërisë dhe sa do t’i kushtojë vendit gazi pasi të përfshihen çmimi i blerjes, transporti, rigazifikimi dhe infrastruktura.
Në një vend ku prej vitesh kontratat publike, koncesionet dhe partneritetet afatgjata kanë ngritur debate për kostot dhe detyrimet ndaj buxhetit, kjo marrëveshje shton një tjetër shqetësim: sa hapësirë financiare po u lihet qeverive që do të vijnë më pas?
Shifra prej 6 miliardë dollarësh përfaqëson vlerën e deklaruar të furnizimeve, jo një borxh publik të krijuar menjëherë. Por detyrimet që mund të burojnë nga një kontratë 20-vjeçare, veçanërisht nëse përfshijnë blerje minimale të garantuara, nuk zhduken me përfundimin e mandatit të kryeministrit që e ka nënshkruar.
Këtu qëndron shqetësimi më i madh: vendimet e sotme mund të kufizojnë mundësitë ekonomike të Shqipërisë për dekada. Qeveritë ndryshojnë, por kontratat dhe detyrimet që ato krijojnë mbeten.
Dhe kur një marrëveshje miliardëshe nënshkruhet për një treg ende të pazhvilluar, me leverdishmëri ekonomike të paqartë dhe me paralajmërimin e arbitrazhit nga pala tjetër, barra e shpjegimit i takon qeverisë që e ka firmosur.
Shqipëria nuk mund të trajtohet si një aset që mund të angazhohet për dekada në marrëveshje të mëdha tregtare pa u sqaruar më parë përfitimi dhe rreziku për financat publike. Pasojat e vendimeve të tilla nuk mbeten në zyrat ku nënshkruhen kontratat. Ato përfundojnë në buxhetin e shtetit dhe mbi qytetarët që e financojnë atë.