Skip to content
Kryesore

Ambasadorja e Hollandës në Shqipëri: Dhuna në protesta na ka shokuar, liria e medias kërkon vëmendje

· 3 min lexim

Ambasadorja e Hollandës në Shqipëri, Marleen Monster, ka komentuar protestat e studentëve dhe qytetarëve, situatën e lirisë së medias, luftën kundër korrupsionit dhe ecurinë e reformave në drejtësi. Nga Korça, diplomatja holandeze theksoi se protestat janë një e drejtë themelore, ndërsa u shpreh e shokuar nga dhuna që ka shoqëruar tubimet.

E pyetur për protestat kundër korrupsionit, Monster nënvizoi se dalja e qytetarëve në rrugë dëshmon ekzistencën e tensioneve në shoqërinë shqiptare.

“Protestat na treguan se ka një lloj tensioni në shoqërinë shqiptare, sepse përndryshe njerëzit nuk do të kishin dalë për të protestuar. Megjithatë, ne i qëndrojmë mendimit se protestat janë në rregull dhe përbëjnë një të drejtë themelore. Por dhuna është diçka që na ka shokuar dhe na ka surprizuar.”

Ambasadorja nuk specifikoi në deklaratën e saj se cilave episode të dhunës u referohej apo kujt ia atribuonte përgjegjësinë.

Një tjetër çështje që diplomatja holandeze veçoi ishte liria e medias dhe e shprehjes. Duke iu referuar Raportit të Progresit të Komisionit Europian, Monster deklaroi se, pavarësisht vlerësimeve pozitive për përparimin e Shqipërisë, mbeten probleme që kërkojnë ndërhyrje dhe vëmendje të mëtejshme.

“Sikundër ndoshta keni parë dhe keni dëgjuar në lidhje me raportin e progresit, ai shënon shumë nota pozitive për të cilat Shqipëria ka bërë progres. Megjithatë, njëkohësisht evidentohen edhe shumë çështje që kërkojnë ende vëmendje dhe punë. Një prej tyre është çështja e lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes. Kjo është një nga temat për të cilat ne jemi sot këtu në Korçë, për të parë se si liria e medias mund të adresohet nëpërmjet sistemit gjyqësor. Prandaj jam shumë e kënaqur që ndodhem në Korçë për të diskutuar mbi këto çështje.”

Në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe protestat e studentëve e qytetarëve, ambasadorja theksoi angazhimin e Holandës për të mbështetur procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Sikurse e dini, Holanda është një nga vendet anëtare që ka një qasje të përqendruar në tre pika kryesore: të qenit strikt, i drejtë (fair) dhe i angazhuar. Një nga gjërat që përpiqemi të bëjmë është të vazhdojmë të mbështesim rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, përmes mundësive që kemi në dispozicion. Kjo është ajo që na mban të angazhuar në këtë çështje.”

Sa i përket shtetit të së drejtës, Monster vlerësoi se reforma në drejtësi ka hyrë në fazën e konsolidimit, por theksoi se rëndësi vendimtare ka zbatimi konkret i angazhimeve dhe jo vetëm miratimi i tyre në dokumente.

“Unë mendoj se Shqipëria tashmë ka nisur një sërë reformash, siç është, për shembull, reforma në drejtësi, e cila ka arritur tashmë në një fazë të re, atë të konsolidimit. Besoj se kjo ka të bëjë jo vetëm me atë që është shkruar në letra, por edhe me zbatimin e saj në praktikë dhe me qëndrimin deri në fund të angazhimeve të marra në kuadër të këtyre reformave.”

Deklaratat e ambasadores holandeze vijnë në një periudhë protestash dhe debatesh mbi funksionimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave themelore. Mesazhi i saj vendos theksin te mbrojtja e së drejtës për të protestuar, garantimi i lirisë së medias dhe nevoja që reformat e ndërmarra nga Shqipëria të japin rezultate konkrete në praktikë.