Fytyra e vërtetë e PD: Flamur Noka humb toruan dhe përplaset fizikisht me gazetarin në studio, kur i përmendet Rrjolli dhe oligarku i familjes, Bashkim Ulaj

Kur i përmenden Rrjolli dhe Bashkim Ulaj, okigarku i lidhur prej vitesh me pushtetin, ja si reagon Flamur Noka, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike dhe një prej njerëzve më të afërt të Sali Berishës.
Bashkim Ulaj, i cili përfitoi të drejta ekskluzive për rrjetin e fibrave optike gjatë qeverisjes Berisha, u lidh me koncesionin Thumanë–Kashar gjatë qeverisjes Rama dhe sot qëndron pas projektit turistik në Rrjoll, ku banorët protestojnë kundër tjetërsimit të pretenduar të pronave të tyre.
Por për Flamur Nokën, PD nuk ka oligarkë. “Cilët janë oligarkët që ka PD? As edhe një”, deklaroi ai në studion e News24.
Gazetari Klevin Muka ia tha në sy atë që drejtuesit e PD-së nuk janë mësuar ta dëgjojnë: “Nuk të duan, edhe demokratët nuk të votojnë. Ne nuk jemi kundër Partisë Demokratike. PD është aset kombëtar, por z Noka apo dikush tjetër në atë parti nuk janë aset kombëtar.”
Dhe ja reagimi i një prej fytyrave kryesore të opozitës: zë i ngritur, gisht i drejtuar ndaj gazetarit dhe përplasje fizike. Kur Muka i kërkoi të mos ngrinte zërin, Noka iu përgjigj: “Ta çoj zërin që të çudis.”
Një sjellje prej kapterri, jo prej një drejtuesi që pretendon autoritet politik.
Më në fund, një gazetar ua tha në sy drejtuesve të PD-së për oligarkët, se partia nuk është pronë e tyre dhe se kritika ndaj opozitës nuk është shërbim ndaj Edi Ramës.
Dhe ky është Flamur Noka, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, një nga figurat që vjen fill pas Sali Berishës. Në vend të përgjigjeve për oligarkët dhe lidhjet e tyre për interesa të përbashkëta, publiku pa se si reagon një drejtues i opozitës kur përballet me pyetje që nuk i pëlqejnë.
Të kërkosh llogari për Bashkim Ulajn nuk do të thotë të mbrosh Edi Ramën. Do të thotë të mos bësh dallim mes oligarkëve të qeverisë dhe atyre që opozita nuk pranon t’i njohë apo t’i denoncojë publikisht me emra.