Skip to content
Kryesore

Vrau nënën me 10 goditje thike në Itali, 21-vjeçari shqiptar merret në pyetje në psikiatri, nuk sqaron motivin

· 1 min lexim

Eduart Xhani, 21-vjeçari shqiptar i akuzuar për vrasjen e nënës së tij, Meleqe Lusha, 39 vjeçe, është marrë në pyetje nga gjyqtari hetues në repartin psikiatrik të spitalit ku ndodhet nën vëzhgim mjekësor.

Gjatë seancës, i riu ka pranuar sërish autorësinë e krimit, duke përsëritur dëshminë e dhënë më parë në polici. Ai ka deklaruar gjithashtu se, përpara se të vriste nënën, kishte tentuar t’i jepte fund jetës.

Megjithatë, sipas mediave italiane, 21-vjeçari nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për motivet e vrasjes, ndërsa deklaratat e tij janë cilësuar konfuze.

Krimi ndodhi në banesën e familjes në Chiari, në provincën e Brescias, Itali, ku Xhani dyshohet se goditi 10 herë me thikë nënën e tij, duke i shkaktuar vdekjen.

Pas ngjarjes, ai u largua me automjetin e tij dhe qëndroi për rreth 10 orë në lëvizje, ende me rrobat e përlyera me gjak. Më pas, u paraqit vullnetarisht në polici dhe rrëfeu vrasjen.

Aktualisht, Eduart Xhani vijon të qëndrojë në repartin psikiatrik të spitalit, nën mbikëqyrjen e mjekëve, pas ekzaminimeve të kryera. Motivi i krimit mbetet ende i paqartë.