Skip to content
Kryesore

BE i rendit problemet me korrupsionin, drejtësinë e demokracinë, Rama ka kundërshtime për të gjitha: Qeverisja i ka rrëshqitur nga duart, por fjalët nuk i mbarojnë!

· 4 min lexim

Edi Rama ka një përgjigje për gjithçka. Edhe kur Komisioni Europian i rendit problemet e qeverisjes njëri pas tjetrit, ai gjen mënyrën ta shpallë sukses imagjinar. Kundërshton, mohon, ndryshon mënyrën si paraqiten faktet dhe e transformon çdo kritikë në një tjetër histori triumfi. Ndërkohë, shteti po i rrëzohet para syve, qeverisja po i rrëshqet nga duart, qytetarët janë në protesta dhe kërkesat për dorëheqjen e tij nuk kanë të ndalur.

Progres-Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 evidenton probleme serioze në demokraci, drejtësi, korrupsion, lirinë e medias dhe funksionimin e institucioneve. Por Rama, i cili duket se e ka kthyer kundërshtimin në profesion, njoftoi me krenari se “Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë”.

Po çfarë duhet të ndodhë tjetër që Edi Rama të pranojë se Shqipëria ka probleme për të cilat qeveria e tij duhet të japë llogari?

Komisioni Europian konstaton se Kuvendi nuk ka zbatuar disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, kërkesat e opozitës për komisione hetimore refuzohen sistematikisht dhe emërimet në institucionet e pavarura politizohen.

Në drejtësi, raporti evidenton përpjekje të politikanëve dhe zyrtarëve për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulme personale ndaj magjistratëve.

Korrupsioni mbetet sfidë serioze, ndërsa Komisioni kërkon më shumë dënime përfundimtare në çështjet e nivelit të lartë.

Liria e medias vazhdon të cenohet nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë, mungesa e transparencës dhe presioni ndaj gazetarëve.

Qeveria kritikohet për ndryshimet buxhetore përmes akteve normative pa mbikëqyrje parlamentare. Ndërkohë, Shqipëria ka përmbushur vetëm 33 nga 66 hapat e Planit të Rritjes që duhej të realizoheshin deri në dhjetor 2025.

Raporti evidenton gjithashtu protestat qytetare dhe studentore, mobilizimin më të madh që prej tranzicionit demokratik, incidentet e dhunshme me policinë dhe mungesën e dialogut gjatë periudhës së raportimit.

Kjo është lista e problemeve që Brukseli i vendos përpara Shqipërisë. Rama, ndërkohë, na flet për një tjetër moment krenarie.

Dhe këtu qëndron problemi me mënyrën si Edi Rama i përgjigjet realitetit. Nuk mjaftohet me mbrojtjen e qeverisë. Duhet patjetër të kundërshtojë çdo kritikë, të relativizojë çdo problem dhe të dalë fitues nga çdo debat, edhe kur debati nuk ka të bëjë me të, por me gjendjen e vendit.

Studentët protestojnë? Kundërshtim. Qytetarët kërkojnë dorëheqjen? Kundërshtim. Gazetarët ngrenë pyetje? Kundërshtim. Institucionet europiane evidentojnë probleme? Një tjetër deklaratë për sukseset historike.

Sikur Shqipëria të qeverisej me kundërpërgjigje, Edi Rama nuk do të kishte asnjë problem për të zgjidhur.

Por ndërkohë që ai merret me fjalët, problemet mbeten. Institucionet përballen me kritika për funksionimin e tyre, korrupsioni vazhdon të kërkojë përgjigje, drejtësia përballet me përpjekje për ndikim politik dhe qytetarët protestojnë.

Pas gjithë këtyre viteve në pushtet, Rama nuk mund të vazhdojë të sillet sikur përgjegjësia për gjendjen e vendit u përket gjithmonë të tjerëve. Nuk mund ta kthejë çdo kërkesë për llogari në një përplasje politike dhe çdo kritikë në një mundësi për propagandë.

Qeverisja nuk është garë se kush e thotë fjalën e fundit. Dhe detyra e Ramës nuk është të na bindë se problemet nuk janë aq serioze sa duken, por të japë llogari për to.

Sot, kur protestuesit kërkojnë largimin e tij dhe Komisioni Europian evidenton dobësi serioze të institucioneve, Rama vazhdon të flasë sikur problemi kryesor i Shqipërisë është se qytetarët nuk po i kuptojnë sukseset e tij.

Mund të vazhdojë të kundërshtojë, të japë shpjegime dhe ta zbukurojë realitetin me deklarata. Por asnjëra prej tyre nuk zbaton vendimet e Kushtetueses, nuk garanton pavarësinë e drejtësisë dhe nuk zgjidh problemet për të cilat qytetarët kanë dalë në rrugë.

Edi Rama ka kohë për çdo kundërshtim, por përgjigjet për qeverisjen vazhdojnë të mungojnë. Dhe ndërsa ai përpiqet të fitojë betejën e fjalëve, pyetja që mbetet është shumë më e thjeshtë: kush po merret me shtetin?