Ambasada holandeze lavdëron Klodian Brahon për arritjet e SPAK, por ku është drejtësia për Ballukun, inceneratorët, AKSHI-n, Gërdecin dhe 21 Janarin?

Ambasadorja holandeze Marleen Monster u takua sot me kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, dhe Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, duke vlerësuar rolin e institucioneve shqiptare të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Por për çfarë e vlerësojnë Klodian Brahon? Cilat janë rezultatet konkrete për dosjet që kanë tronditur Shqipërinë? Dhe sa gjatë duhet të presin shqiptarët që drejtësia të shkojë deri në fund?
Sepse ndërsa ambasadorët përshëndesin SPAK-un, një shoqëri e tërë pret përgjigje.
1. Dosja Balluku: tre shtyrje afatesh, pesë akuza dhe 15 episode të dyshuara penale. Po drejtësia ku është?
SPAK i zgjati tre herë afatet e hetimit ndaj Belinda Ballukut, në prill, korrik dhe tetor 2026. Një dosje voluminoze me dokumente, komunikime, dëshmi, sekuestrime pasurish dhe dyshime për abuzime me tendera me vlerë mbi një miliard euro.
Më 20 tetor iu komunikuan pesë akuza penale që përfshijnë 15 episode të dyshuara, nga tenderat e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe deri te korrupsioni, fshehja e pasurisë dhe pastrimi i parave. Vetëm tetë ditë më vonë, më 28 tetor, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve, ndonëse më parë kishte vendosur zgjatjen e tyre deri në janar 2027.
SPAK kishte kërkuar autorizimin për arrestimin e Ballukut, por më 12 mars Kuvendi e rrëzoi kërkesën me 82 vota kundër. Ndërkohë, akuzat janë rënduar, por nuk është bërë publike një kërkesë e re për arrestim.
Sa akuza, sa dokumente dhe sa prova të tjera duhen që kjo dosje të përballet përfundimisht me drejtësinë? Përse SPAK nuk i është drejtuar sërish Kuvendit pas rëndimit të akuzave?
2. Inceneratori i Tiranës: 120 milionë euro të arkëtuara, vetëm 21 milionë të investuara.
Një incenerator i pandërtuar dhe miliona euro të paguara nga paratë publike. SPAK ka dërguar për gjykim një pjesë të dosjes, por hetimet për aspekte të tjera vazhdojnë.
Kush do të përgjigjet për të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes? Ku janë paratë dhe sa prej tyre do t’u kthehen shqiptarëve?
3. AKSHI: 40 milionë euro pasuri të sekuestruara. Po përgjegjësitë?
Dyshime për korrupsion, manipulim tenderash, pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal në një prej institucioneve që administron shërbimet digjitale të shtetit.
A do të shkojë hetimi deri tek të gjithë përfituesit dhe përgjegjësit, apo shqiptarët do të mbeten sërish duke numëruar pasuritë e sekuestruara, pa parë përfundimin e çështjes?
4. 21 Janari dhe Gërdeci: sa vite të tjera duhet të kalojnë?
Për 21 Janarin pritet ende ekspertiza nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa një pjesë e hetimeve për Gërdecin vazhdon.
Kanë kaluar vite, janë ndërruar qeveri, drejtues institucionesh dhe prokurorë. Por familjarët vazhdojnë të presin përgjigje për përgjegjësitë penale.
Sa kohë duhet të presin familjet e viktimave? Kur do të marrë fund kjo pritje?
5. Krimi zgjedhor: kush e blen votën dhe kush e financon?
Nga 46 procedime penale të regjistruara gjatë vitit 2025, vetëm pesë ishin dërguar për gjykim deri në raportimin e Brahos në korrik 2026.
Kush i financon skemat e blerjes së votës? Kush i organizon? A do të shkojë SPAK përtej ekzekutorëve, deri tek ata që përfitojnë politikisht nga krimi zgjedhor?
Këto janë pesë prova madhore për drejtësinë shqiptare, për aftësinë e saj për të goditur korrupsionin në nivelet më të larta dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë.
Dhe pikërisht këtu lind pyetja për ambasadorët.
Për çfarë e presin dhe e lavdërojnë SPAK dhe kreun e tij, kur për këto çështje themelore shqiptarët ende nuk kanë marrë përgjigjet përfundimtare?
Ambasadorët dhe partnerët ndërkombëtarë kanë mbështetur politikisht, teknikisht dhe financiarisht reformën në drejtësi. Holanda është një prej vendeve që financon programe për forcimin e kapaciteteve të SPAK-ut.
Prandaj mbështetja e tyre nuk mund të kufizohet te takimet, fotografitë zyrtare dhe deklaratat vlerësuese. Nuk mund t’i thonë vazhdimisht drejtësisë shqiptare se ka bërë një punë shumë të mirë, pa kërkuar njëkohësisht përgjigje për dosjet që mbeten të pazgjidhura.
Sepse përndryshe lind një pyetje edhe më e rëndë: A duan vërtet partnerët tanë një Shqipëri që ecën përpara, me drejtësi të pavarur dhe pa të paprekshme?
Shqipëria është një vend sovran. Por për vite me radhë, ne u kemi dhënë ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë një peshë të jashtëzakonshme në jetën tonë institucionale.
Ua kemi dhënë këtë besim sepse kemi patur nevojë për ndihmë në ndërtimin e shtetit, në mbrojtjen e një demokracie të brishtë dhe në forcimin e institucioneve, përballë një sistemi politik që për dekada ka dështuar t’u japë shqiptarëve drejtësinë që meritojnë.
Ndaj sot kemi të drejtë t’u kërkojmë llogari edhe ambasadorëve. Jo sepse ata duhet të vendosin për hetimet apo vendimet gjyqësore në Shqipëri, por sepse mbështetja që i kanë dhënë këtij sistemi duhet të shoqërohet edhe me kërkesën për rezultate, transparencë dhe përgjegjësi.
Sot Shqipëria po përjeton një krizë të thellë politike, institucionale dhe shoqërore, që për nga përmasat e saj ngre krahasime me periudhat më të vështira që prej viteve ’90.
Dhe pasojat nuk i përkasin vetëm qytetarëve që jetojnë brenda kufijve. Ato prekin edhe shqiptarët jashtë Shqipërisë, familjet e tyre, të ardhmen e fëmijëve dhe besimin se ky vend mund të bëhet një ditë një shtet ku ligji vlen njësoj për të gjithë.
Historia është në një moment kritik. SPAK-u ka sot mundësinë të bëjë histori.
T’i çojë dosjet deri në fund, të kërkojë dënimet që provohen dhe meritojnë të shqiptohen sipas ligjit, të kërkojë rikuperimin e parave publike dhe të mos lejojë që hetimet të kthehen në zvarritje të pafundme.
SPAK-u ka nevojë për pavarësi nga politika, por pavarësia nuk e përjashton nga llogaridhënia.
Sepse historia nuk do ta gjykojë SPAK dhe Klodian Brahon nga numri i ambasadorëve që e kanë pritur, por nga dosjet që drejtësia ka arritur të çojë deri në fund.