Skip to content
Kryesore

Kuti me tufa eurosh në vilën e Ballukut në Dhërmi, SPAK zbulon foton në telefonin e bashkëshortit të pastrueses

· 3 min lexim

Një kuti e kuqe e mbushur me tufa kartëmonedhash 50 euroshe, të lidhura me llastik, është një nga detajet që ka dalë në dritë nga dosja hetimore e SPAK për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Fotografia është gjetur në komunikimet e bashkëshortit të pastrueses së saj, ndërsa Prokuroria e Posaçme dyshon se është shkrepur në vilën luksoze që Balluku përdorte në kompleksin “White Rocks”, në Dhërmi.

Sipas dokumenteve të siguruara dhe publikuara nga Report Tv, fotografia është dërguar përmes një mesazhi mëngjesin e 17 korrikut 2021 nga Lavdrim Smone, bashkëshorti i sanitares që kujdesej për pastrimin e banesës së Ballukut në Tiranë dhe herë pas here të vilës në Dhërmi.

Në dokumentin hetimor, SPAK e përshkruan kutinë me kartëmonedha si të ndodhur “në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin White Rocks”.

Megjithatë, nga informacionet e publikuara nuk rezulton të jetë përcaktuar ende origjina e parave, shuma e tyre apo personi të cilit i përkisnin.

Vila 720 mijë euro, në emër të Igli Tares, por sipas SPAK përdorej nga Balluku

Prokuroria e Posaçme ka analizuar qindra komunikime telefonike dhe mesazhe të periudhës 2018–2025 për të provuar se pronarja faktike e vilës dykatëshe të tipit “Begonia”, në kompleksin turistik “White Rocks”, ishte Belinda Balluku.

Prona ka një sipërfaqe ndërtimi prej 103 metrash katrorë dhe një parcelë toke prej të paktën 300 metrash katrorë. Sipas vlerësimit të SPAK, ajo kushton aktualisht rreth 720 mijë euro.

Edhe pse vila rezulton e regjistruar formalisht në emër të ish-futbollistit Igli Tare, Prokuroria e Posaçme pretendon se provat e administruara tregojnë se ajo i përkiste faktikisht Ballukut.

Në komunikimet e administruara nga hetuesit, ish-vartës, shoferi personal, punonjës të pastrimit dhe administratorë të kompleksit i referoheshin vazhdimisht godinës F6 si “vila e shefes”.

Sipas dosjes, arredimi dhe investimet në pronë ishin realizuar në përputhje me preferencat e ish-zëvendëskryeministres.

SPAK ka dokumentuar gjithashtu se Balluku e përdorte vilën që prej qershorit 2019 dhe të paktën deri në shkurt–mars 2026. Të dhënat e qelizave telefonike e vendosin numrin e saj celular në këtë zonë në periudha të ndryshme përgjatë viteve.

Prona u sekuestrua më pas me vendim gjykate, rreth tre muaj pas periudhës së fundit të lokalizimit të përmendur në dokumentacion.

Roli i pastrueses dhe familjes së saj në administrimin e vilës

Një pjesë e provave lidhet me lëvizjet e punonjësve që kujdeseshin për mirëmbajtjen e pronës.

Sipas komunikimeve të administruara nga SPAK, Lavdrim Smone, bashkëshortja dhe vajza e tij udhëtonin herë pas here drejt Dhërmiut për të kryer pastrimet në vilë.

Në disa raste, transporti i tyre realizohej nga shoferi personal i Ballukut.

Pikërisht në komunikimet e Smones është identifikuar fotografia e kutisë së kuqe me tufa eurosh, e cila është përfshirë në dokumentacionin e hetimit.