Vodhën tubat e bakrit për t’i shitur dhe shkaktuan shpërthimin fatal në Athinë ku humbën jetën 4 anëtarë të një familjeje shqiptare, arrestohen 3 persona, mes tyre një shqiptar

Tre persona, mes tyre një shqiptar, janë arrestuar nga policia greke si të dyshuar për shkaktimin e shpërthimit tragjik në lagjen “Plaka” të Athinës, ku humbën jetën gjashtë persona, përfshirë katër anëtarë të një familjeje shqiptare. Sipas hetimeve, vjedhja e tubave të bakrit për t’u shitur dyshohet se shkaktoi rrjedhjen e gazit që çoi në shpërthimin vdekjeprurës.
Mes të arrestuarve është edhe 37-vjeçari shqiptar Kolian Ilia, së bashku me dy shtetas grekë të moshave 34 dhe 54 vjeç. Të tre përballen me akuza të rënda penale për ngjarjen e ndodhur më 25 shtator.
Nga hetimet rezulton se të dyshuarit hynë në ndërtesën neoklasike gjatë natës dhe vodhën pjesë të instalimeve prej bakri, me qëllim shitjen e tyre. Dëmtimi i tubacioneve dyshohet se shkaktoi rrjedhje të gazit natyror, i cili u grumbullua brenda godinës dhe shpërtheu mëngjesin e asaj dite.
Hetuesit e shërbimit zjarrfikës analizuan dhjetëra pamje të kamerave të sigurisë, duke rindërtuar lëvizjet e të dyshuarve përpara dhe pas hyrjes në ndërtesë.
Pamjet tregojnë tre persona që i afrohen godinës rreth orës 02:00 të mëngjesit të 25 shtatorit. Dy prej tyre hyjnë në ambientet e shkallëve dhe qëndrojnë për disa minuta, përpara se të largohen duke mbajtur një pjesë tubi bakri.
Një rol vendimtar në hetim luajtën edhe analizat e laboratorit të Universitetit Teknik Kombëtar të Athinës. Ekspertët identifikuan pikën e rrjedhjes së gazit pranë matësit të gazit natyror në katin përdhes.
Ky konstatim i orientoi hetimet drejt instalimeve të brendshme të ndërtesës, duke përjashtuar si burim të rrjedhjes rrjetin e jashtëm të furnizimit.
Sipas të dhënave të publikuara, tre të arrestuarit kanë pasur përballje të shumta me autoritetet greke për vepra të ndryshme penale, përfshirë vjedhje, grabitje, posedim armësh, drogë dhe plagosje të rënda.
Tragjedia i mori jetën katër anëtarëve të një familjeje shqiptare: Florida Hoxhës, vëllait të saj Florin Hoxha, bashkëshortes së këtij të fundit, Eris Cani, dhe bashkëshortit amerikan të Floridës, Ian Alexander Kirkpatrick.
Nga shpërthimi dhe shembja e ndërtesës humbën jetën gjithashtu dy shtetas grekë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në gjashtë.
Arrestimi i tre të dyshuarve vjen rreth një muaj pas tragjedisë, ndërsa hetimet kanë lidhur dëmtimin e instalimeve të gazit me vjedhjen e tubave të bakrit.