Ramës nuk i ecën me Ballukun! Kërkoi dorëheqjen e gjithë drejtorëve për të larguar të sajët, por ata mbeten në detyrë dhe transferojnë në burgje Veliajn e Agasin

Edi Rama, në përpjekje për të larguar drejtorët e Belinda Ballukut, kërkoi dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve, përfshirë edhe ata që kishte emëruar vetë. Por duket se as këtë herë nuk i eci me Ballukun.
Drejtorët e saj jo vetëm që nuk largohen, por vazhdojnë të firmosin edhe urdhra transferimesh. Sadleva Bodo, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, dje transferoi Erion Veliajn nga paraburgimi i Durrësit në Fier, ndërsa sot ka firmosur urdhrin për transferimin e Ergys Agasit nga Bradasheshi. Ende nuk dihet se ku do të dërgohet ky i fundit.
Ndërkohë, Veliaj, dikur një nga njerëzit krah Ramës, duket se është kthyer në “kurbanin” e përplasjeve të brendshme të pushtetit.
Ironia është se Rama kërkoi dorëheqje në të gjithë administratën, por pas ultimatumit të 26 tetorit, drejtorët vijojnë të qëndrojnë në detyrë. Ilir Binaj te Tatimet, Besmir Beja te Doganat, Viola Haxhiademi te KESH-i dhe Marjeta Përlala te Agjencia Kombëtare e Mjedisit figuronin ende në postet e tyre më 28 tetor.
Pra, Rama kërkoi dorëheqjen e të gjithëve për të larguar disa, por deri tani nuk ka arritur të largojë as ata që supozohet se kishte në shënjestër.
Belinda i mban drejtorët, drejtorët mbajnë karriget dhe Rama mbetet me letrat e dorëheqjes.