Skip to content
Kryesore

“Ku është mami?”/ Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, djali 12-vjeçar përfundon në strehimore

· 2 min lexim

Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt në Kosovë ka lënë pas një tjetër viktimë të dhunës: djalin e saj vetëm 12 vjeç, i cili sot ndodhet në një strehimore, pa nënën që nuk do të mund ta përqafojë më.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa pas tragjedisë, djali i saj është vendosur në një strehimore në Kosovë. Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka sqaruar se për kujdesin dhe të ardhmen e fëmijës është përgjegjëse Qendra për Punë Sociale.

Nga kjo qendër nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e 12-vjeçarit apo vendimet që do të merren për kujdestarinë e tij.

Por pas këtij njoftimi zyrtar qëndron historia e dhimbshme e një fëmije që, brenda një dite, humbi njeriun më të rëndësishëm të jetës së tij.

Ironia më tragjike është se vetë Arlinda, përpara se të vritej, kishte refuzuar të shkonte në strehimore. Ajo kërkonte të qëndronte në shtëpinë e saj, pranë djalit.

“Jo unë nuk pranoj që të shkoj në strehimore, une dua të shkoj në shtëpinë time”, kishte deklaruar ajo, sipas kronologjisë së publikuar nga Radio Evropa e Lirë.

Arlinda kërkonte të jetonte e sigurt në shtëpinë e saj. Sot, ajo nuk jeton më, ndërsa djali i saj është pikërisht në një strehimore.

Vrasja e saj ka rikthyer në vëmendje jo vetëm dhunën ndaj grave, por edhe pasojat që kjo dhunë lë te fëmijët. Sepse pas çdo gruaje të vrarë mund të mbeten fëmijë që duhet të rriten me mungesën e nënës, me traumën e humbjes dhe me një jetë që ndryshon përgjithmonë.

Për 12-vjeçarin, asnjë vendim gjykate dhe asnjë masë institucionale nuk mund ta kthejë më nënën e tij. Por institucionet kanë përgjegjësinë t’i sigurojnë mbrojtje, kujdes dhe mbështetje për të ardhmen.

Arlinda Zekaj humbi jetën. Djali i saj humbi nënën, shtëpinë e përditshmërisë së tij dhe sigurinë që vetëm përqafimi i saj mund t’ia jepte.