Kërcënime me bomba dhe akte terroriste në institucionet shqiptare, mesazhi erdhi nga Arabia Saudite

Një mesazh kërcënues për vendosjen e bombave në disa ndërtesa dhe kryerjen e akteve terroriste ka mbërritur këtë të hënë, më 19 tetor, në adresat elektronike të disa institucioneve shqiptare. Mesazhi përmban paralajmërimin alarmues: “Sot bombë në disa ndërtesa, ajo që do të përjetoni është vetëm fillimi”.
Policia e Shtetit ka reaguar pas këtyre kërcënimeve, duke bërë të ditur se nga verifikimet paraprake, mesazhi rezulton të jetë dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Sipas Policisë, mënyra e dërgimit të mesazhit paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur kërcënime të kësaj natyre janë shpërndarë përmes adresave elektronike të komprometuara, të cilat u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë Shqipërisë.
Megjithatë, origjina reale e mesazhit dhe identiteti i personave që qëndrojnë pas tij mbeten ende të papërcaktuara.
Strukturat e Policisë së Shtetit po vijojnë verifikimet dhe veprimet hetimore për të përcaktuar autenticitetin e kërcënimit, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar personat përgjegjës.
Deri në këtë fazë, autoritetet nuk kanë konfirmuar praninë e lëndëve shpërthyese në ndërtesat e përmendura në kërcënim.