Skip to content
Kryesore

Bojkoti i avokatëve bllokon gjyqin e Veliajt, GJKKO gjoba nga 100 mijë lekë

· 2 min lexim

Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe të pandehurve të tjerë është shtyrë sërish për shkak të bojkotit të avokatëve, të cilët kundërshtojnë rregulloren e re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Për shkak të mungesës së avokatëve në seancë, GJKKO ka vendosur t’i gjobisë ata me nga 100 mijë lekë të reja, ndërsa seanca e radhës është caktuar për më 27 tetor. Gjykata ka vendosur gjithashtu pezullimin e sërishëm të afateve të paraburgimit.

Për të shmangur bllokimin e mëtejshëm të procesit, GJKKO ka njoftuar se në seancën e ardhshme do të thërrasë avokatë nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, të cilët do të caktohen për përfaqësimin e të pandehurve.

Bojkoti i avokatëve ka nisur më 7 shtator dhe vijon prej më shumë se një muaji. Shkak është bërë rregullorja e re e Gjykatës së Posaçme, e cila ndalon mbajtjen dhe përdorimin e telefonave celularë në sallat e gjykimit.

Pavarësisht masave të marra nga gjykata, kundërshtimi i avokatëve vazhdon të pengojë zhvillimin e seancave, duke sjellë shtyrje të përsëritura të proceseve gjyqësore, përfshirë edhe atë ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.