Shpërthim me tritol pranë Gjykatës së Tiranës, shënjestrohet makina e bashkëshortes së avokatit Idajet Beqiri

Një shpërthim me lëndë plasëse ka tronditur mëngjesin e kësaj të marte, 13 tetor, zonën pranë Gjykatës Civile të Tiranës. Objektiv i sulmit ka qenë automjeti në pronësi të Nexhi Beqirit, bashkëshortes së avokatit të njohur Idajet Beqiri.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, pranë zonës së “Myslym Shyrit”, ku automjeti ishte i parkuar përpara një pallati.
Sipas informacioneve paraprake, në automjet dyshohet se ishte vendosur një sasi lënde plasëse, e cila ka shpërthyer duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar.
Mjeti rezulton i regjistruar në emër të Nexhi Beqirit, ndërsa mësohet se avokati Idajet Beqiri ndodhet jashtë vendit në momentin e ngjarjes.
Ende nuk dihen motivet e vendosjes së eksplozivit dhe as nëse sulmi lidhet me aktivitetin profesional të avokatit apo me rrethana të tjera.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
“Rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, para një pallati, ka shpërthyer një sasi lënde e dyshuar plasëse, e vendosur në automjetin e parkuar në pronësi të shtetases N. B.
Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.”
Deri më tani, nuk ka informacion për persona të identifikuar apo të arrestuar në lidhje me shpërthimin. Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe personat përgjegjës për vendosjen e lëndës plasëse.