Sulm brutal në Mirditë! Tre persona të maskuar dhunojnë mjekun me shkopinj bejsbolli

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Konaj, në njësinë administrative Fan të Mirditës, ku mjeku Martin Prenga është sulmuar dhunshëm nga tre persona të maskuar.
Sipas informacioneve paraprake, agresorët kanë qenë të pajisur me shkopinj bejsbolli dhe dyshohet se kanë pasur me vete edhe armë. Ata kanë goditur mjekun në rrethana ende të paqarta.
Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e Martin Prengës, ndërsa motivet e sulmit mbeten të panjohura. Po ashtu, nuk ka informacion të konfirmuar mbi identitetin e tre autorëve të dyshuar.
Pritet që Policia e Shtetit të japë detaje të mëtejshme për ngjarjen, si dhe të sqarojë dinamikën dhe shkaqet e sulmit ndaj mjekut.
Ndërkohë, një person me të njëjtin emër, Martin Prenga, rezulton të jetë plagosur me armë zjarri në korrik të vitit 2022, po në zonën e Fanit në Mirditë. Megjithatë, nuk është konfirmuar nëse bëhet fjalë për të njëjtin person apo nëse ekziston ndonjë lidhje mes dy ngjarjeve.