“Koha do të flasë”, çfarë la pa sqaruar Adriatik Kupi pas dorëheqjes nga Burgjet?

Adriatik Kupi është larguar nga drejtimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve pas shtatë muajsh në detyrë, me një deklaratë që lë pikëpyetje mbi rrethanat e dorëheqjes. Ai përmend kritika, kundërshtime dhe “gurë të hedhur” mbi punën e tij, por pa identifikuar se kujt i referohet apo çfarë pengesash ka hasur.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Kupi nuk jep një arsye konkrete për vendimin. Ai e përshkruan drejtimin e institucionit si një periudhë të vështirë, ndërsa shprehet: “Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.”
Cilat janë këto “gjëra të tjera” dhe a kanë lidhje me largimin e tij? Deklarata nuk e sqaron. Kupi ia ka deleguar detyrat zëvendësdrejtoreshës aktuale, ndërsa në mesazhin e largimit rendit përparësitë e punës së tij dhe falënderon bashkëpunëtorët, përfshirë ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu.
Reagimi i plotë i Adriatik Kupit:
“Pas shtatë muajsh në drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, kam vendosur të jap dorëheqjen nga kjo detyrë.
Për mua kjo nuk ishte një periudhë e lehtë, pasi kishte probleme që kërkonin ndërhyrje të menjëhershme, vendime të vështira që duheshin marrë dhe përgjegjësi që nuk mund të shtyheshin as me minuta. Jam përpjekur t’i përballoj me angazhim maksimal, duke pasur gjithmonë parasysh njerëzit dhe institucionet për të cilat mbaja përgjegjësi.
Gjatë këtyre muajve, puna ime është përqendruar në forcimin e sigurisë, përmirësimin e administrimit dhe modernizimin e sistemit penitenciar. Përparësi kanë qenë rritja e përgjegjshmërisë, mbështetja e profesionalizmit të punonjësve dhe përmirësimi i kushteve të trajtimit të personave që vuajnë dënimin.
Besoj se një sistem penitenciar modern matet edhe me mënyrën se si i trajton njerëzit, me respektimin e të drejtave të tyre, me transparencën dhe me mundësitë reale që u jep për t’u rehabilituar e për t’u rikthyer në shoqëri. Kjo ka qenë bindja që më ka udhëhequr në këtë detyrë.
Ka pasur edhe kritika, kundërshtime dhe gurë të hedhur mbi këtë punë.
Kritikën jam përpjekur ta dëgjoj, edhe kur ka qenë e vështirë. Përballë pengesave, kemi vazhduar të punojmë. Për disa gjëra të tjera, koha do të flasë më qartë se unë sot.
Sot largohem me mirënjohje për të gjithë ata që punuan me mua, që ndanë përgjegjësitë dhe që i qëndruan pranë kësaj pune deri në fund. E di se sa përkushtim kërkon puna e përditshme në këtë sistem dhe e vlerësoj kontributin e secilit.
Falënderoj Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë të veçantë ministrin z. Toni Gogu për besimin dhe bashkëpunimin, drejtuesit dhe punonjësit e sistemit penitenciar, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, për mbështetjen dhe kontributin gjatë kësaj periudhe.
Largohem nga detyra me respekt për përgjegjësinë që më është besuar dhe me dëshirën që puna e nisur të vijojë në shërbim të një sistemi penitenciar më të sigurt, më të drejtë dhe më njerëzor”.