Skip to content
Kryesore

“Kush voton kundër reformës, përjashtohet”/ Rama kërcënon deputetët, mbledhja vijon qetësisht, qytetarët protestojnë në shi kundër shkrirjes së bashkive

· 3 min lexim

Reforma e re Administrativo-Territoriale, që parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe uljen e numrit të tyre nga 61 në 46, ka shkaktuar tensione të forta këtë të enjte, 8 tetor.

Ndërsa qytetarët protestojnë kundër shkrirjes së bashkive, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar deputetët socialistë se kush voton kundër reformës do të përjashtohet nga grupi parlamentar. Gjatë mbledhjes së PS-së, Rama raportohet të ketë deklaruar: “Kush del nga vendimi i grupit, del nga grupi”.

Presioni vjen në një moment kur mazhorancës i nevojiten 84 vota për miratimin e hartës së re territoriale. Reforma ka shkaktuar kundërshtime edhe brenda socialistëve, ndërsa Vullnet Sinaj ka ndryshuar qëndrim duke votuar pro draftit në grupin parlamentar. Erion Braçe ka vijuar kritikat ndaj propozimit.

Protesta jashtë Kuvendit, qytetarë të lënduar dhe tetë të shoqëruar

Ndërkohë që brenda Kuvendit zhvillohen diskutimet për reformën, jashtë tij qytetarë nga bashkitë që rrezikojnë të shkrihen kanë dalë në protestë në mes të shiut, duke kundërshtuar ndryshimet territoriale.

“Shkrini qeverinë, jo bashkitë” ka qenë një nga thirrjet kryesore të protestuesve, të cilët janë përballur me barriera metalike dhe forca të shumta policore.

Protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje. Policia ka përdorur sot spraj lotsjellës, ndërsa në pamjet e publikuara u panë efektivë që godasin protestues me grushte dhe shqelma, si dhe qytetarë të rrëzuar në tokë.

Disa protestues kanë humbur ndjenjat ose kanë shfaqur probleme shëndetësore, ndërsa të tjerë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Një person me dëmtime në kokë është transportuar me ambulancë drejt spitalit.

Mes personave të përfshirë në përplasje ka qenë edhe kryebashkiaku i Memaliajt, Albert Malaj, i cili është tërhequr zvarrë nga efektivët gjatë protestës.

Policia e Shtetit ka njoftuar shoqërimin e tetë personave, duke pretenduar se disa pjesëmarrës hodhën vezë, domate, gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve dhe nuk respektuan perimetrin e sigurisë.

Harta e re: 15 bashki shkrihen, gjashtë zona marrin statusin e qytetit

Sipas projektligjit të Partisë Socialiste, bashkitë që propozohet të humbasin statusin si njësi të pavarura janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi.

Ato do të bashkohen përkatësisht me bashkitë Pukë, Mat, Kavajë, Berat, Fier, Lushnjë, Vlorë, Korçë, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Elbasan dhe Librazhd.

Ndërkohë, gjashtë zona të tjera propozohet të marrin statusin e qytetit: Kastrati në Malësi të Madhe, Bushati në Vaun e Dejës, Ulza në Mat, Krasta në Bulqizë, Miloti në Kurbin dhe Golemi në Kavajë.

Nëse miratohet, reforma do të reduktojë numrin e bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

Ndërsa mazhoranca kërkon 84 votat për miratimin e hartës së re, qytetarët kundërshtojnë shkrirjen e bashkive të tyre dhe deputetët socialistë përballen me ultimatumin e kryeministrit për të votuar në favor të reformës.