Skip to content
Kryesore

U dënua për skemën e call-center-it, nëna me foshnjën 4-muajshe shkon në burg/ “Nuk kërkon pafajësi, por shtyrjen e dënimit”

· 2 min lexim

Greta Gjoci (Pepa), një nga 16 personat e dënuar në dosjen e call-center-it të drejtuar nga Bruno Çobo, është shoqëruar drejt institucionit të vuajtjes së dënimit së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe. Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi dënimin e saj me 6 vite e 8 muaj burg.

Pas vendimit, mbrojtja e Gjocit i është drejtuar gjykatës, por nuk kërkon pafajësi apo ndryshimin e masës së dënimit. Kërkesa lidhet vetëm me shtyrjen e ekzekutimit të tij, për shkak se e dënuara ka një fëmijë nën moshën një vjeç.

Avokati i saj i është referuar nenit 476, pika 1, shkronja “b” të Kodit të Procedurës Penale, i cili parashikon mundësinë e shtyrjes së ekzekutimit të vendimit kur gruaja e dënuar është shtatzënë ose ka fëmijë nën një vjeç.

Gjoci u shpall fajtore nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për “mashtrim kompjuterik” në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “grup të strukturuar kriminal”.

Për mashtrimin kompjuterik ajo u dënua me 10 vite burg, ndërsa për pjesëmarrjen në grupin e strukturuar kriminal me 2 vite. Pas bashkimit të dënimeve dhe uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u caktua në 6 vite e 8 muaj burg.

Çështja lidhet me një skemë mashtrimi përmes call-center-ave, nga e cila janë dëmtuar shtetas italianë. Gjoci ka punuar si operatore në call-center, ndërsa Bruno Çobo është identifikuar si drejtues i grupit dhe është dënuar me 8 vite burg.

Me lënien në fuqi të vendimit nga Apeli, Gjoci është shoqëruar për vuajtjen e dënimit së bashku me foshnjën, ndërsa gjykatës i është kërkuar të vendosë nëse ekzekutimi i tij do të shtyhet për shkak të moshës së fëmijës.