Uljan Shpataraku në gjykatë: Ergys Agasin e mora me autostop, më tha se quhej “Berti”

Është zbardhur vendimi i Gjykatës së Posaçme, e cila caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për ish-drejtorin e Policisë së Elbasanit, Uljan Shpataraku, i arrestuar në të njëjtën makinë me Ergys Agasin.
Në vendimin gjyqësor të siguruar nga gazetari Elton Qyno, bie në sy versioni që Shpataraku ka dhënë para gjykatës për mënyrën se si ishte gjendur në automjet me Agasin.
Ish-zyrtari i policisë ka pretenduar se nuk kishte asnjë njohje të mëparshme me Ergys Agasin dhe se takimi mes tyre kishte qenë krejtësisht rastësor. Sipas tij, gjatë udhëtimit në rrugën e vjetër të Elbasanit, Agasi i kishte bërë shenjë për autostop dhe ai kishte vendosur ta merrte në makinë.
Shpataraku ka deklaruar se personi i ishte prezantuar me emrin “Berti” dhe i kishte thënë se punonte me duralumin.
“…po kthehesha nga rruga e vjetër e Elbasanit. Gjatë udhëtimit, një person më bëri shenjë me dorë dhe unë e mora në makinë. Ky person më tha se quhej ‘Berti’ dhe se punonte me duralumin. Në afërsi të Plepave, në Durrës, na ndaloi policia. Aty mësova se personi që kisha marrë në makinë ishte Ergys Agasi…”, ka pohuar Shpataraku në gjykatë.
Ai ka këmbëngulur se nuk kishte njohje me Agasin, duke shpjeguar edhe arsyen pse kishte ndaluar për ta marrë në automjet.
“…unë nuk e njoh Ergys Agasin. Po udhëtoja me automjet drejt Elbasanit dhe një person më ngriti dorën për autostop. E mora, pasi jam besimtar dhe nuk kam frikë nga njerëzit që kanë hall në rrugë…”.
Ky version nuk e ka bindur gjykatën, e cila ndaj Shpatarakut ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
Ndërkohë, për të verifikuar pretendimet e ish-zyrtarit të policisë, SPAK ka urdhëruar ekspertimin kompjuterik të dy telefonave “iPhone” që iu sekuestruan gjatë operacionit të zhvilluar në fund të muajit gusht 2026 në Durrës.
Dy telefonat mësohet se kanë qenë të koduar, ndërsa hetuesit janë përqendruar edhe te komunikimet që Shpataraku dhe Ergys Agasi kanë kryer në aplikacionin “Signal”.
Sipas të dhënave të referuara në material, në dalje të zonës së Bradasheshit, Shpataraku dyshohet se ka konstatuar një dron në ajër që po i ndiqte. Në atë moment, ai dyshohet se i ka kërkuar Ergys Agasit të shpejtonte automjetin për t’iu shmangur ndjekjes.
Agasi, sipas të njëjtave të dhëna, e kishte siguruar se nuk kishte rrezik dhe se kishte komunikuar për të konfirmuar se gjithçka ishte në rregull.
Megjithatë, në zonën e Plepave në Durrës, automjeti është ndaluar nga policia. Operacioni përfundoi me arrestimin e Ergys Agasit, i cili ishte person në kërkim, si dhe të ish-zyrtarit të policisë Uljan Shpataraku.