Skandali i videove intime me artistet, Adi Hila pranon se vendosi kamerat: “Ishin për siguri, nuk kisha qëllim të filmoja”

Kompozitori Adi Hila po merret në pyetje prej disa orësh në Policinë e Tiranës, pas skandalit të videove intime të shpërndara në rrjetet sociale, ku ai shfaqet me disa artiste të njohura.
Gjatë dëshmisë, Hila ka pranuar se kamerat në banesën e tij i kishte vendosur vetë, por ka mohuar që qëllimi i tyre të ishte filmimi i momenteve intime.
Sipas deklarimeve të tij, kamerat ishin instaluar për arsye sigurie, pasi në zonën ku ndodhet banesa kishin ndodhur vjedhje. Për këtë arsye, ai pretendon se kishte vendosur kamera në çdo cep të pronës.
Hila ka deklaruar gjithashtu se sistemi ishte instaluar që në vitin 2022, shumë kohë përpara publikimit të videove që kanë shkaktuar skandalin. Sipas versionit të tij, bëhej fjalë për kamera të thjeshta, të cilat nuk kishin memorie për ruajtjen e pamjeve, por funksiononin online.
Marrja në pyetje vijon nga grupi i posaçëm hetimor i Krimeve Kibernetike, i cili po përpiqet të sqarojë mënyrën se si janë regjistruar, ruajtur dhe më pas shpërndarë materialet.
Videot intime të kompozitorit me artiste të njohura u shpërndanë me shpejtësi mbrëmjen e së martës përmes WhatsApp-it dhe platformave të tjera. Të mërkurën, një prej artisteve të përfshira u shtrua me urgjencë në spital, në kushtet e një traume të fortë psikologjike.
Disa prej materialeve intime janë publikuar edhe në faqe pornografike online. Të paktën një prej videove rezulton se ishte hedhur në faqe të tilla rreth një vit më parë.
Personi që mori përsipër autorësinë e publikimit të materialeve në rrjetet sociale mbrëmjen e 29 shtatorit është gazetari i showbiz-it Elton Tozaj. Materialet u publikuan pa ruajtur anonimitetin e grave të përfshira dhe pa mbuluar pjesët intime.
Policia ka thirrur për t’u marrë në pyetje edhe Tozajn, ndërsa dëshmia e tij pritet pas përfundimit të marrjes në pyetje të Adrian Hilës.
Ndërkohë, Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin e adresave IP të profileve që kanë shpërndarë videot. Pritet gjithashtu ekspertimi i sistemit të kamerave për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje nga persona të paautorizuar.
Hetimet po zhvillohen në lidhje me veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Filmimi dhe ekspozimi i aspekteve të jetës private të një personi pa pëlqimin e tij, si edhe publikimi i materialeve të tilla, mund të sjellin përgjegjësi penale. Për ndërhyrjen e padrejtë në jetën private parashikohet gjobë ose burgim deri në tre vjet.