Skip to content
Kryesore

Skandali pornografik/ Sa vite burg rrezikon Adrian Hila?

· 3 min lexim

Skandali i videove intime që ka përfshirë kompozitorin Adrian Hila dhe këngëtare të njohura të skenës shqiptare, mund të mos mbetet vetëm te publikimi i materialeve në internet. Hetimet janë zgjeruar edhe mbi një çështje shumë më të rëndë: nëse personat që shfaqen në pamje janë filmuar pa dijeninë dhe pëlqimin e tyre.

Policia e Tiranës ka thirrur Hilën për të dhënë deklarime dhe po verifikon rrethanat në të cilat janë realizuar regjistrimet. Hetimi është thelluar veçanërisht pas një fragmenti ku një person vëren pajisjen në ambient dhe pyet nëse është kamerë, ndërsa Hila dëgjohet duke i thënë se është “alarm”.

Nëse provohet se kamera është vendosur dhe personat janë regjistruar pa dijeninë e tyre, Kodi Penal shqiptar parashikon përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Neni 121, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, përfshin vendosjen e aparaturave për regjistrimin e figurave ose fjalëve, regjistrimin dhe ruajtjen për publikim të të dhënave që ekspozojnë jetën private të një personi pa pëlqimin e tij. Për këtë vepër ligji parashikon gjobë ose burgim deri në 2 vjet.

Por përgjegjësia mund të rëndohet nëse provohet edhe shpërndarja. I njëjti nen përcakton se shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi i materialeve të siguruara në këtë mënyrë dënohet me burgim deri në 3 vjet.

Kjo do të thotë se, nëse hetimi provon se Hila ka kryer filmimet pa pëlqim, ai mund të përballet me akuzën që parashikon deri në 2 vjet burg. Nëse provohet se ka qenë përgjegjës edhe për publikimin ose shpërndarjen e tyre, hyn në lojë edhe vepra e dytë, e dënueshme deri në 3 vjet burg.

Megjithatë, këto masa nuk mblidhen automatikisht në “5 vite burg”. Nëse një person shpallet fajtor për disa vepra penale, neni 55 i Kodit Penal parashikon që gjykata cakton fillimisht dënimin për secilën dhe më pas jep një dënim të vetëm sipas rregullave të bashkimit të dënimeve.

Edhe numri i personave dhe episodeve mund të marrë rëndësi. Nëse hetimi arrin në përfundimin se persona të ndryshëm janë regjistruar në episode të veçanta pa dijeninë e tyre, Prokuroria duhet të përcaktojë nëse kemi përballë disa vepra penale të veçanta.

Ndërkohë, Policia ka referuar materialet në Prokurori për katër vepra penale: “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”. Hetuesit po kërkojnë gjithashtu adresat IP dhe personat që kanë publikuar apo shpërndarë materialet.

Hila, nga ana tjetër, ka deklaruar se është “i shokuar, i tronditur” dhe se është “hakeruar”, ndërsa ka njoftuar se do të paraqitet në Polici.

Tashmë çështja nuk lidhet vetëm me mënyrën se si videot përfunduan në internet. Nëse provohet se kamera ishte fshehur pas pretendimit se ishte “alarm” dhe personat nuk dinin se po regjistroheshin, kemi të bëjmë me një çështje penale që prek drejtpërdrejt privatësinë e viktimave dhe që ligji shqiptar e dënon me burg.