Shqipëria e nis me këmbën e mbarë Nations League, kuqezinjtë mposhtin 2-0 Bjellorusinë

Shqipëria e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën në Nations League, duke mposhtur 2-0 Bjellorusinë në “Air Albania”. Kuqezinjtë siguruan tre pikët e para falë golave të Kristjan Asllanit dhe Ernest Muçit.
Sfida nisi me ritëm të lartë, me Shqipërinë që iu afrua golit me Rey Manajn, ndërsa në krahun tjetër Etrit Berisha ndërhyri për të shmangur rrezikun në portën kuqezi.
Rreth 15 minuta para përfundimit të pjesës së parë, Shqipëria fitoi një penallti pas një kontakti ndaj Berat Gjimshitit brenda zonës. Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi nga pika e bardhë, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh.
Para pushimit erdhi edhe goli i dytë. Ernest Muçi finalizoi pas asistit të Elseid Hysajt, duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe duke i dhënë Shqipërisë një avantazh të rëndësishëm që në pjesën e parë.
Në fraksionin e dytë, Taulant Seferi pati një mundësi të mirë për të thelluar rezultatin, por nuk arriti ta shfrytëzonte. Bjellorusia tentoi të rikthehej në lojë, por pa arritur të ndryshonte shifrat.
Shqipëria e mbylli kështu ndeshjen me fitoren 2-0 dhe tre pikët e para në Nations League. Kuqezinjtë do të rikthehen në fushë pas tri ditësh, kur do të përballen me San Marinon.