Nuk i mjaftojnë 81 vite burg për ish-krerët e UÇK-së/ Prokurorja e Hagës shkon në Apel: Kërkon dënim edhe për krime kundër njerëzimit

Prokuroria e Specializuar nuk e konsideron të mbyllur çështjen me aktgjykimin që dënoi me një total prej 81 vitesh burg Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Kryeprokurorja Kimberly West njoftoi se ZPS-ja do të shqyrtojë me kujdes vendimin e plotë, duke veçuar edhe gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, për të cilat katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën të pafajshëm.
Trupi gjykues dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet, për një total prej 81 vitesh. Ata u shpallën penalisht përgjegjës për krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Por një pjesë e rëndësishme e aktakuzës së Prokurorisë nuk u pranua nga Gjykata. Katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit, pasi trupi gjykues arriti në përfundimin se Prokuroria e Specializuar nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se kishte ekzistuar një sulm i përhapur ose sistematik i drejtuar kundër një popullate civile. Ata u shpallën të pafajshëm edhe në lidhje me një numër incidentesh të veçanta të pretenduara si krime lufte.
Megjithatë, pikërisht pjesën e aktgjykimit që lidhet me gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit ZPS-ja ka bërë të qartë se do ta analizojë në ditët në vijim.
Në reagimin pas vendimit, West e cilësoi aktgjykimin “të rëndësishëm për sundimin e ligjit në Kosovë” dhe “drejtësi të vonuar për viktimat”.
“Vendimi i sotëm, që bazohet vetëm në fakte dhe ligj, është i rëndësishëm për vënien para përgjegjësisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Prokurorja e Specializuar. “Gjykata ka konfirmuar se asnjë individ, pavarësisht rangut apo autoritetit politik, nuk është mbi ligjin dhe nuk ka imunitet nga përgjegjësia për krime të rënda ndërkombëtare.”
West këmbënguli gjithashtu se procesi nuk kishte në objekt UÇK-në apo luftën për pavarësinë e Kosovës, por përgjegjësinë penale individuale të të akuzuarve.
“ZPS-ja bën përgjegjës individë për veprimet e tyre, në përputhje me mandatin e saj, asgjë më shumë,” deklaroi ajo. “ZPS-ja nuk ka ndjekur penalisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, as luftën e bërë për pavarësinë e Kosovës.
“Individë të caktuar shfrytëzuan ato rrethana të luftës për të kryer krime të rënda, dhe është për meritë të Kosovës që këta individë nxirren tani para përgjegjësisë.”
Gjatë procesit, Prokuroria thirri 125 dëshmitarë për të dëshmuar drejtpërdrejt në sallën e gjyqit dhe paraqiti rreth 3 mijë prova materiale në disa gjuhë.
Sipas aktgjykimit, katër ish-krerët u shpallën përgjegjës për arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar të të paktën 385 personave, trajtimin mizor të të paktën 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e paligjshme të të paktën 96 personave.
Në fund të deklaratës, ZPS-ja njoftoi se do ta shqyrtojë të gjithë aktgjykimin gjatë ditëve të ardhshme, përfshirë gjashtë pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit që nuk çuan në dënime, ndërsa procesi hyn në fazat e tij të mëtejshme.