U godit me grusht nga polici, protestuesi rikthehet sonte në shesh: “Nuk u godita vetëm unë! Të bashkohemi e ta rrëzojmë këtë qeveri, poshtë korrupsioni”

Protestuesi që u godit me grusht nga një efektiv policie gjatë shoqërimit iu bashkua protestës para Kryeministrisë, duke bërë thirrje për bashkimin e qytetarëve dhe rrëzimin e qeverisë.
Ai tha se kishte ardhur nga diaspora për t’iu bashkuar protestës dhe e cilësoi dhunën e ushtruar gjatë ndërhyrjes së policisë si të papranueshme, duke theksuar se nuk ishte i vetmi që ishte goditur.
“Erdha në protestë nga Diaspora, me vëllezërit e motrat që t’ju bashkohem që ta rrëzojmë këtë qeveri të ndyrë. Kriminelët dolën, ishte një gjë shumë absurde. Nuk u godita vetëm unë, por të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia. Turp për qeverinë e policinë. Poshtë korrupsioni”, tha ai.
Rasti i protestuesit mori vëmendje pasi gjatë shoqërimit të tij nga policia, një efektiv u filmua duke e goditur me grusht. Tashmë, qytetari është rikthyer në protestë, këtë herë përpara Kryeministrisë, duke iu bashkuar thirrjeve kundër qeverisë.