Theu urdhrin e mbrojtjes dhe plagosi me drapër ish-vjehrrin, arrestohet daja i deputetes Zegjine Çaushi

Daja i deputetes socialiste Zegjine Çaushi është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi dyshohet se theu urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga Gjykata për ish-bashkëjetuesen e tij dhe plagosi me drapër babain e saj.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës, rreth orës 22:30, në fshatin Suk të Roskovecit. Sipas Policisë, 52-vjeçari B. B. kishte shkuar në banesën ku ndodhej ish-bashkëjetuesja e tij, pavarësisht urdhrit të mbrojtjes që Gjykata kishte caktuar ndaj saj.
Në këtë banesë, 52-vjeçari është konfliktuar për motive të dobëta me E. G., 67 vjeç, babain e ish-bashkëjetueses së tij. Gjatë konfliktit, B. B. dyshohet se e ka goditur 67-vjeçarin me një drapër në këmbë.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar, por është kapur nga Policia rreth 30 minuta më vonë, pranë banesës së tij në fshatin Mbërsh të Roskovecit. I plagosuri është dërguar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
52-vjeçari është arrestuar për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Njoftimi i Policisë:
“Roskovec/ Plagosi me mjet prerës (drapër), një 67-vjeçar, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin B. B., 52 vjeç, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”.
Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, në fshatin Suk, Roskovec, shtetasi B. B., 52 vjeç, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin E. G., 67 vjeç, në banesën e tij, e ka goditur atë me mjet prerës (drapër), në këmbë. Shtetasi B. B. ka thyer urdhrin e mbrojtjes që i ka caktuar Gjykata, ish-bashkëjetueses së tij (vajza e 67-vjeçarit), duke shkuar në banesën e tyre, ku më pas ka ndodhur konflikti.
Autori i dyshuar i plagosjes, shtetasi B. B., u kap pas 30 minutash, afër banesës së tij, në fshatin Mbërsh, Roskovec. Shtetasi E. G. po merr ndihmë mjekësore në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”