Skip to content
Kryesore

“Territorialja” përplas Ramën me kryebashkiakun e Poliçanit, përfshihet edhe Egla Ceno/ Përfaqësuesit braktisin takimin në shenjë proteste

· 2 min lexim

Dëgjesa e Kryeministrit Edi Rama në Berat për Reformën Territoriale është kthyer në një takim me tensione dhe përplasje verbale, pasi përfaqësuesit e Poliçanit kanë kërkuar të ngrenë shqetësimet e tyre për zonën. Në debat është përfshirë edhe aktorja Egla Ceno, ndërsa përplasja ka vijuar edhe me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj.

Takimi nisi me prezantimin e ministrit të Pushtetit Vendor, Ervin Demo. Pas fjalës së tij, përfaqësuesit e Poliçanit kërkuan të merrnin fjalën për të paraqitur problematikat që, sipas tyre, duhet të merren në konsideratë në diskutimet për ndarjen territoriale.

Situata u tensionua gjatë shkëmbimeve me Kryeministrin Rama, duke kaluar në përplasje verbale mes palëve. Në debat u përfshi edhe Egla Ceno, e cila ndodhej mes përfaqësuesve të Poliçanit.

Përplasja nuk u mbyll aty. Në diskutim u përfshi edhe kryebashkiaku Adriatik Zotkaj, ndërsa tensionet bënë që përfaqësuesit e Poliçanit të largoheshin nga salla.

Ata ndërprenë pjesëmarrjen në dëgjesë dhe u larguan në shenjë proteste, duke e kthyer takimin për Reformën Territoriale në Berat në një përballje të hapur mes Kryeministrit dhe përfaqësisë së Poliçanit.