Skip to content
Kryesore

16 degë të Thesarit në kallëzimin në SPAK/ Kush urdhëroi bllokimin e pagave të magjistratëve? Kërkohet zbardhja e gjithë zinxhirit të vendimmarrjes

· 2 min lexim

Bllokimi i pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për muajin gusht 2026 ka përfunduar në SPAK, ku kërkohet të zbardhet i gjithë zinxhiri i vendimmarrjes: kush urdhëroi moskryerjen e pagesave, kush e zbatoi vendimin dhe mbi çfarë baze ligjore.

Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave, së bashku me drejtues të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kërkojnë hetimin e ministrit të Financave, Petrit Malaj, sekretarit të përgjithshëm Gentian Këri dhe drejtuesve të 16 degëve të Thesarit. Në kallëzim ngrihen pretendime për “shpërdorim detyre”, “pengim për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura i vendimit të gjykatës”.

Çështja lidhet me formulën e pagave që KLGJ dhe KLP kërkuan të zbatohej nga 1 gushti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026 dhe përfundimit të afatit të lënë Kuvendit për ndërhyrjet ligjore. Sipas kallëzuesve, degët e Thesarit nuk kishin kompetencë të rivlerësonin ligjshmërinë e formulës dhe as të bllokonin urdhërpagesat.

Në kallëzim pretendohet gjithashtu se gjykatat i kishin fondet e nevojshme për pagat, ndaj SPAK-ut i kërkohet të verifikojë nëse bllokimi erdhi për mungesë parash apo nga një vendimmarrje administrative.

Një pikë kyçe është komunikimi mes Ministrisë së Financave dhe Thesarit. Bllokimi, sipas kallëzimit, u pasua nga një e-mail i sekretarit të përgjithshëm Gentian Këri. SPAK-ut i kërkohet të administrojë korrespondencën dhe të përcaktojë se kush dha urdhrin për moskryerjen e pagesave.

Në total janë kërkuar 14 veprime hetimore, mes tyre sekuestrimi dhe ekspertimi i gjurmëve elektronike në sistemin e Thesarit, administrimi i e-mail-eve dhe dokumentacionit, identifikimi i personave që urdhëruan ose zbatuan bllokimin, si dhe verifikimi nëse ka pasur ndërhyrje politike apo administrative.

Hetimi i kërkuar synon kështu të rindërtojë të gjithë rrugën e vendimmarrjes, nga Ministria e Financave deri te 16 degët e Thesarit, dhe të përcaktojë nëse me bllokimin e pagave janë konsumuar veprat penale të pretenduara në kallëzim.