Akuzat për trafik armësh çojnë përgjimet në SPAK/ Nufi thyen heshtjen: “A je në terezi? Përgjimet e dynjasë do dëgjosh”

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar për herë të parë pas akuzave të ngritura nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili e përfshiu atë në pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh dhe e lidhi me biznesmenin izraelit Ron Yeffet.
I pyetur nga Syri TV për akuzat, Nufi i hodhi poshtë ato me një përgjigje të shkurtër, teksa hynte në takimin që kryeministri Edi Rama po zhvillonte me socialistët në Vilën e Kuqe.
“Çfarë trafiku armësh je në terezi, çfarë thua? Përgjimet e dynjasë do të dëgjosh ti”, u shpreh Nufi.
Ahmetaj e kishte përmendur drejtpërdrejt ministrin e Mbrojtjes gjatë deklaratave të tij, duke e cilësuar si një “patericë” të biznesmenit izraelit Ron Yeffet dhe duke i vendosur nofkën “Ermal Raketa”.
Për audiopërgjimet dhe akuzat e publikuara nga Ahmetaj ka reaguar edhe qeveria, e cila i ka hedhur poshtë ato përmes një përgjigjeje të shkurtër për emisionin “Opinion”.
“Qeveria nuk ka asnjë reagim për të bërë në lidhje me thashethemet dhe fabrikimet e një të arratisuri nga drejtësia nën akuzat më të rënda që i janë bërë deri më sot nga SPAK një ish-zyrtari i lartë. Faleminderit!”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Në intervistën e dhënë pak ditë më parë për gazetarin Çim Peka, Ahmetaj akuzoi Ron Yeffet se përmes TIMAK, TIMAK Defence dhe modelit “KAYO” ka përfituar nga asetet dhe fondet publike. Ai e lidhi biznesmenin gjithashtu me një skemë të dyshuar të tregtimit ndërkombëtar të armëve dhe me pretendime për përdorimin e pasurive strategjike të shtetit, përfshirë gazin e Delvinës.
Sipas Ahmetajt, e njëjta skemë po përgatitet të përdoret edhe në sektorin e Shëndetësisë, çka, sipas pretendimit të tij, ka çuar në dorëheqjen e ish-ministres Evis Sala.
Ahmetaj ndodhet në kërkim prej më shumë se dy vitesh dhe dyshohet se ka aplikuar për azil politik në Zvicër. Nga arratia ai ka vijuar të ngrejë akuza ndaj qeverisë Rama, ndërsa vetë nuk është përballur me drejtësinë.