Kush ia dha të drejtën policisë së partisë të marrë protestuesit?/ Rreth 20 në komisariat, 19 lirohen; uniformat pastrojnë protestën për pushtetin, Rama sulmon kritikët

Rreth 20 protestues u morën nga policia gjatë ditës së 101-të të protestës në Tiranë. Qytetarë të kapur me forcë, të tërhequr nga rruga dhe të futur në furgonë, ndërsa efektivët paralajmëronin: “Do t’ju arrestojmë, lironi rrugët!”. Disa orë më vonë, 19 prej tyre ishin sërish të lirë.
Atëherë përse u morën?
Kjo është pyetja që Policia e Shtetit duhet të përgjigjet, sepse komisariati nuk mund të përdoret si dhomë pritjeje ku futen protestuesit derisa pushteti të ketë mbaruar punë me protestën.
Nëse një qytetar kryen një vepër penale, arrestohet sipas ligjit dhe përgjigjet para drejtësisë. Por kur policia merr në masë protestues nga rruga dhe pothuajse të gjithë lirohen vetëm pak orë më vonë, lind dyshimi serioz se qëllimi nuk ishte ndëshkimi i një krimi, por largimi i njerëzve nga protesta.
Dhe kjo nuk është hera e parë.
Prej muajsh Reforma ka dokumentuar të njëjtën metodë: shoqërime, procedime, protestues të tërhequr zvarrë, ndalime dhe ndërhyrje për të liruar terrenin sa herë protesta bëhet e sikletshme për pushtetin.
Më 19 qershor u proceduan 23 protestues. Dy ditë më vonë edhe 9 të tjerë. Më 1 korrik pamjet treguan qytetarë të tërhequr zvarrë. Më 2 korrik, para Kuvendit, pesë protestues të tjerë u shoqëruan. Më 31 korrik, kur Belinda Balluku shkoi në SPAK për t’u njohur me akuzat e reja, policia “pastroi” hyrjen nga protestuesit dhe ndaloi dy të rinj për vezët e hedhura në një protestë të mëparshme. Edhe ata u liruan pas disa orësh.
Madje presioni kaloi edhe në internet. Kur protesta u zhvendos te review-t negative dhe bojkoti, Policia njoftoi verifikimin e mbi 10 mijë llogarive, pa i shpjeguar publikut qartë se për çfarë vepre penale konkrete po hetoheshin mijëra qytetarë.
Pra skema përsëritet: protestuesi ngre zërin, policia ndërhyn; protesta bllokon rrugën, policia merr qytetarët; zyrtarit i duhet liruar hyrja, policia pastron terrenin; protesta zhvendoset online, shteti nis verifikimet.
Një polici që sillet kështu nuk duket më si polici e qytetarit. Duket si polici partie.
Ligji, ndërkohë, nuk njeh as “pastrim terreni” dhe as “qetësim proteste” si arsye për t’i hequr lirinë një qytetari.
Neni 27 i Kushtetutës përcakton se askujt nuk mund t’i hiqet liria përveç rasteve dhe procedurave të përcaktuara me ligj. Kodi i Procedurës Penale vendos kushte konkrete për arrestimin në flagrancë dhe ndalimin jashtë saj. Ndërsa Kushtetuta kërkon që kufizimi i një të drejte të jetë proporcional dhe i domosdoshëm.
Prandaj Policia duhet të tregojë: çfarë kishte bërë secili prej 19 qytetarëve që u morën dhe më pas u liruan? Cila ishte baza ligjore për kufizimin e lirisë së secilit? Përse ishte e domosdoshme t’i çonin në komisariat?
Nuk mjafton t’i marrësh sot dhe t’i lësh nesër.
Edhe Avokati i Popullit ka hapur hetim për veprimet e policisë ndaj protestuesve dhe në korrik njoftoi se kishte marrë 10 ankesa për tejkalim force gjatë ndalimeve ose shoqërimeve. Pra shqetësimi për mënyrën se si Policia e Shtetit po sillet me protestën nuk është një histori e shpikur dje.
Tashmë ka kaluar edhe kufijtë e Shqipërisë.
Pas pamjeve të 8 shtatorit, Demokratët Europianë e cilësuan situatën “thellësisht shqetësuese” dhe deklaruan:
“Dje, ndërsa protestat në Tiranë hynë në ditën e tyre të 101-të radhazi, imazhet që na arritën u bënë thellësisht shqetësuese. Ndalimet u rritën, reagimi i policisë dukej në mënyrë disproporcionale i ashpër dhe njerëz pa uniforma të dukshme u panë duke ndërhyrë, duke ngritur pyetje serioze nëse ata ishin oficerë policie apo individë që vepronin jashtë çdo zinxhiri të qartë llogaridhënieje”.
Pra tashmë pyetja nuk është vetëm pse policia mori rreth 20 protestues. Duhet shpjeguar edhe kush ishin civilët që ndërhynin mes tyre, kush i komandonte dhe mbi çfarë baze vepronin.
Edi Rama, në vend që t’u përgjigjej këtyre shqetësimeve, sulmoi ata që i ngritën. Demokratët Europianë u bënë “demokratë dembelë”, me “politikë mendjengushtë”, ndërsa Shqipëria, sipas tij, qenka “një vend realisht i lirë”.
I njëjti Rama që prej muajsh përballet me qytetarë që kërkojnë dorëheqjen e tij vazhdon të sulmojë, të përçajë dhe të shpallë armik këdo që vë në diskutim qeverisjen e tij, ndërsa pushteti vazhdon me pronat, tenderat dhe vendimmarrjen sikur jashtë zyrave të tij të mos kishte ndodhur asgjë.
Por problemi nuk zhduket duke sharë europianët dhe as duke futur protestuesit në furgon.
Policia paguhet nga ata qytetarë që dje tërhiqte nga rruga. Detyra e saj është të mbrojë qytetarin dhe ligjin, jo të pastrojë rrugën për pushtetin. Nuk është trupë private e Ramës, nuk është eskortë politike e deputetëve dhe nuk është repart i Partisë Socialiste.
Nëse 19 protestues u morën nga rruga dhe më pas u lanë të lirë, Policia duhet të japë llogari për secilin prej tyre. Nëse nuk kishte bazë ligjore për kufizimin e lirisë së tyre, përgjegjësia nuk mbyllet me hapjen e derës së komisariatit.
Sepse uniforma nuk e bën të ligjshëm një urdhër të paligjshëm.
Dhe kur policia përdoret jo për të mbrojtur qytetarin nga pushteti, por pushtetin nga qytetari, ajo nuk është më Policia e Shtetit. Është policia e partisë.