Skip to content
Bota

55 mijë dollarë për çdo fëmijë deri në 17 vjeç/ Singapori hap thesin për të shpëtuar vendin nga plakja

· 3 min lexim

Singapori po ofron deri në rreth 70 mijë dollarë singaporianë, ose 55 mijë dollarë amerikanë, mbështetje për çdo fëmijë deri në moshën 17 vjeç, në një përpjekje të fortë për të frenuar rënien e lindjeve dhe plakjen e shpejtë të popullsisë.

Kryeministri Lawrence Wong ka prezantuar një paketë masash financiare dhe sociale që nis që në lindjen e fëmijës. Prindërit do të përfitojnë 10 mijë dollarë singaporianë, ndërsa parashikohen edhe dy pagesa të tjera prej 5 mijë dollarësh për shpenzime mjekësore dhe arsimore.

Nga mosha 1 deri në 16 vjeç, familjet do të marrin gjithashtu nga 2 mijë dollarë singaporianë në vit në formën e krediteve për fëmijët. Tarifat e kopshteve të subvencionuara do të ulen në 150 dollarë në muaj, ndërsa do të zgjerohen edhe lejet për prindërit.

Por edhe mijëra dollarë mbështetje nuk po i bindin të gjithë të bëhen prindër.

Një sondazh i YouGov tregon se një në katër singaporianë nuk planifikon të ketë fëmijë, duke përmendur koston e lartë të jetesës, përgjegjësitë e prindërimit, presionin në punë dhe ndikimin mbi stilin e jetesës.

“Jemi të lumtur me jetën që kemi tani, ndaj një fëmijë do ta komplikonte disi atë”, thotë Lee, një 34-vjeçar që nuk planifikon të ketë fëmijë me bashkëshorten e tij.

Situata po kthehet në një problem serioz demografik dhe ekonomik. Norma e fertilitetit në Singapor ka rënë në vetëm 0.87 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit 2.1 që nevojitet për zëvendësimin e brezave.

Këtë vit, Singapori pritet të konsiderohet një shoqëri “super e plakur”, me më shumë se 21% të popullsisë mbi 65 vjeç. Më pak lindje nënkuptojnë më pak të rinj dhe njerëz në moshë pune, ndërsa numri i të moshuarve vazhdon të rritet.

Për disa çifte, megjithatë, paketa po funksionon si një shtysë. Iqbar Hisham, 27 vjeç, e cila e cilëson koston e jetesës si “jashtëzakonisht të lartë”, thotë se mbështetja e re i ka dhënë më shumë shpresë për krijimin e një familjeje.

“Mbështetja më nxit të kem fëmijë sa më shpejt pasi të martohem”, thotë ajo.

Por sfida e Singaporit shkon përtej parave. Orët e gjata të punës, presioni social dhe sistemi tepër konkurrues arsimor po ndikojnë gjithashtu në vendimin e të rinjve për të mos pasur fëmijë. Edhe vetë Wong ka pranuar shqetësimet e qytetarëve për kohën, kostot dhe të ardhmen e fëmijëve.

Qeveria tashmë po investon mijëra dollarë për çdo fëmijë. Sfida e madhe mbetet nëse kjo do të mjaftojë për të ndryshuar mendjen e një brezi që po zgjedh gjithnjë e më shpesh të mos bëhet prind.