PS kërkon të shkrijë 15 bashki para zgjedhjeve 2027, ekspertët: Rrezik për standardet dhe garën

Partia Socialiste synon të ndryshojë hartën e Shqipërisë përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, duke e ulur numrin e bashkive nga 61 në 46. Por koha kur po bëhet reforma dhe mënyra se si do të ndryshojnë kufijtë e bashkive kanë ngritur shqetësime për organizimin e zgjedhjeve dhe ndikimin që harta e re mund të ketë në rezultat, raporton BIRN.
Propozimi i PS-së parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Konsultimet pritet të përfundojnë në shtator dhe mazhoranca synon ta kalojë reformën në Kuvend gjatë vjeshtës, në mënyrë që harta e re të përdoret që në zgjedhjet lokale të vitit 2027. Ndërkohë, në disa prej bashkive që rrezikojnë të shkrihen ka pasur protesta.
Problemi kryesor, sipas ekspertëve, është koha. Pas miratimit të hartës, bashkitë që shkrihen ose bashkohen duhet të riorganizojnë administratat, ndërsa KQZ-ja duhet të përshtatë zonat zgjedhore, procedurat, pajisjet dhe teknologjinë e votimit.
“Në kushtet aktuale gjithçka po shkon në presion,” tha Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike, duke shtuar se “nëse reforma territoriale miratohet në vjeshtë, do të thotë që ngelet shumë pak kohë për aktet nënligjore dhe shkrirjen e njësive vendore.”
Rigels Xhemollari nga “Qëndresa Qytetare” paralajmëron se situata bëhet edhe më problematike nëse harta miratohet pasi Presidenti të ketë dekretuar datën e zgjedhjeve.
“Do të vërë në vështirësi KQZ-në për të ndarë dhe prokuruar votimin dhe numrin elektronik që pritet të përdoret në masë në këto zgjedhje,” shprehet Xhemollari.
Por debati nuk është vetëm teknik. Ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume, ngre pikëpyetje mbi interesin elektoral që mund të fshihet pas dy propozimeve: PS kërkon 46 bashki, ndërsa PD kërkon që numri i tyre të rritet në 100.
Sipas Kumes, mënyra se si vizatohen kufijtë e bashkive ndikon drejtpërdrejt në garën politike. Ai argumenton se bashkimi i zonave rurale apo periferike, ku opozita ka tradicionalisht mbështetje, me bashki më të mëdha ku pesha e qendrave urbane është më e fortë, mund të neutralizojë avantazhin e opozitës. Kume e quan këtë efekt “tretje” të votës opozitare.
Në anën tjetër, PD kërkon 100 bashki, duke argumentuar se njësitë më të vogla ruajnë identitetet lokale dhe e afrojnë pushtetin me qytetarët. Sipas Kumes, një hartë e tillë do të krijonte gjithashtu më shumë gara të vogla dhe potencialisht më konkurruese.
Ndryshimi i hartës prek edhe këshillat bashkiakë. Bashkitë më të mëdha mund të krijojnë më shumë mundësi për përfaqësimin e forcave të vogla në këshilla, por sipas Xhemollarit, në garën për drejtimin e bashkive njësitë më të mëdha favorizojnë partitë e mëdha dhe e vështirësojnë konkurrencën për forcat e reja.
Për ekspertët, shqetësimi është i dyfishtë: nga njëra anë, koha e shkurtër që KQZ-ja dhe bashkitë do të kenë për t’u përshtatur me hartën e re; nga ana tjetër, mënyra se si ndryshimi i kufijve vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve mund të ndikojë në konkurrencën politike dhe besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor.