Moment historik për futbollin shqiptar në Europë! Egnatia siguron Conference League, Dinamo në Play-Off

Futbolli shqiptar festoi një mbrëmje të madhe në Europë. Egnatia dhe Dinamo kanë përmbysur humbjet e ndeshjeve të para me fitore spektakolare, duke siguruar kualifikimin në fazën Play-Off të kompeticioneve europiane. Për rrogozhinasit suksesi ka një peshë edhe më të madhe, pasi Egnatia ka tashmë të garantuar të paktën pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League.
Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një ndeshje të jashtëzakonshme përballë Shamrock Rovers. Egnatia kishte humbur 3-1 sfidën e parë në Irlandë dhe në Rrogozhinë i duhej një përmbysje e madhe për të vijuar aventurën.
Dhe përmbysja erdhi në mënyrën më spektakolare. Egnatia shkatërroi irlandezët 5-1 dhe e mbylli duelin me rezultatin e përgjithshëm 6-4, duke siguruar një tjetër kapitull historik në Europë.
Me këtë kualifikim, skuadra rrogozhinase ka garantuar të paktën fazën e ligës së Conference League, por tashmë do të kërkojë më shumë. Egnatia vijon rrugëtimin në Europa League, ku në Play-Off do të përballet me norvegjezët e Lillestrøm. Dy ndeshjet ndaj tyre do të vendosin nëse kampionët shqiptarë do të sigurojnë një vend në fazën e ligës së Europa League.
Festë pati edhe për Dinamon. Blutë hynë në ndeshjen e kthimit ndaj Auda-s me disavantazhin 1-0 të sfidës së parë, por në fushë dominuan plotësisht kundërshtarin.
Dinamo fitoi 4-0, duke përmbysur gjithçka dhe duke siguruar kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 4-1.
Suksesi merr përmasa historike për klubin kryeqytetas, pasi Dinamo kalon për herë të parë tre ture radhazi në Conference League.
Tashmë skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka përpara pengesën e fundit drejt fazës së ligës. Në Play-Off, Dinamo do të përballet me Pafos të Qipros, në një tjetër sfidë vendimtare për aventurën europiane.
Egnatia dhe Dinamo mbyllën kështu mbrëmë një natë të paharrueshme për futbollin shqiptar: rrogozhinasit me Conference League tashmë të siguruar dhe me mundësinë për të synuar Europa League, ndërsa kryeqytetasit vetëm një hap larg fazës së ligës së Conference League.