Skip to content
Kryesore

Konfindustria kërkon rikthimin e Bordit të Transparencës, por a ishte ai zgjidhja apo pjesë e problemit?

· 2 min lexim

Rritja e fortë e çmimeve të karburanteve ka rikthyer në diskutim Bordin e Transparencës. Konfindustria i ka kërkuar qeverisë ndërhyrje urgjente për frenimin e shtrenjtimit, duke propozuar mes masave edhe rikthimin e Bordit, me argumentin se ulja e mundshme e taksave duhet të përfitohet nga qytetarët dhe jo nga operatorët e tregut.

Megjithatë, kërkesa ngre një debat të njohur: a ishte Bordi zgjidhja e problemit apo një mekanizëm që vetë u bë objekt kritikash gjatë viteve të funksionimit?

Pikërisht për mënyrën se si vendoste çmimet, Bordi i Transparencës u akuzua vazhdimisht nga ekspertë, opozita dhe organizata të ndryshme se nuk krijonte konkurrencë reale në treg, por përfundonte duke unifikuar çmimet në nivele të larta. Në vend që konsumatorët të përfitonin nga konkurrenca mes operatorëve, shpesh pikat e karburanteve shisnin me të njëjtin çmim të miratuar nga Bordi, ndërsa uljet në bursat ndërkombëtare reflektoheshin me vonesë ose në përmasa më të vogla.

Kjo është arsyeja pse shumë qytetarë e panë shkrirjen e Bordit si fundin e një mekanizmi që, sipas tyre, nuk arriti të mbronte konsumatorin. Por vetëm pak javë pas heqjes së tij, nafta është ngjitur deri në 198 lekë për litër, ndërsa benzina ka arritur në 189 lekë, duke rikthyer pyetjen nëse tregu po funksionon realisht.

Në reagimin e saj, Konfindustria kërkon katër masa urgjente:

  • uljen me të paktën 15% të taksave mbi karburantet;
  • rikthimin e Bordit të Transparencës;
  • kontrolle të menjëhershme për cilësinë e karburanteve;
  • forcimin e luftës kundër kontrabandës, me përfshirjen edhe të SPAK.

Sipas Konfindustrisë, çmimet e karburanteve në Shqipëri janë dukshëm më të larta se në vendet e rajonit dhe në shumë shtete të Bashkimit Europian, duke rënduar kostot për qytetarët, bizneset dhe prodhimin vendas.

Debati, megjithatë, mbetet i hapur. Nëse çmimet po rriten pa Bordin dhe gjatë viteve u kritikuan edhe me Bordin, atëherë problemi duket se nuk lidhet vetëm me ekzistencën ose jo të këtij mekanizmi, por me mungesën e një tregu realisht konkurrues, transparencës mbi formimin e çmimeve dhe kontrollit efektiv ndaj abuzimeve. Kjo është edhe arsyeja pse rikthimi i Bordit nuk shihet nga të gjithë si zgjidhje, por nga shumë konsumatorë si rikthim i një mekanizmi që nuk dha rezultatet e premtuara.