Teksa Balluku hynte sot në SPAK për t’u njohur me akuzat e reja, policia në shërbimin e saj “pastroi” hyrjen nga protestuesit paqësorë

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u paraqit këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku iu komunikuan akuzat e reja në kuadër të hetimeve që SPAK po zhvillon ndaj saj për disa procedura tenderuese. Por ndërsa Balluku hynte në godinë, jashtë saj po zhvillohej një tjetër skenë: policia ndërhyri për të larguar protestuesit paqësorë, të cilët prej disa ditësh mblidhen edhe para SPAK duke kërkuar hetim, përgjegjësi dhe drejtësi për aferat që kanë dëmtuar qytetarët shqiptarë.
Protestuesit mbanin pankarta kundër qeverisë dhe kërkonin që drejtësia të veprojë pa standarde të dyfishta ndaj çdo zyrtari të përfshirë në afera korruptive. Sipas tyre, ata nuk po kryenin asnjë veprim të ndaluar, megjithatë policia ndërhyri për t’i larguar nga hyrja e institucionit, pikërisht në kohën kur Balluku po hynte në SPAK.
Ndërhyrja nuk u ndal vetëm te largimi i protestuesve. Gjatë ditës, policia arrestoi edhe dy të rinj pjesëmarrës në protestë, me arsyetimin se më 27 korrik kishin hedhur vezë gjatë një prej tubimeve. Efektivët i ndoqën deri në zonën e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku u bë edhe ndalimi i tyre. Pas disa orësh, të dy u lanë të lirë.
Në të njëjtën kohë, Balluku qëndroi rreth 20 minuta në ambientet e SPAK dhe u largua pa bërë asnjë deklaratë për mediat.
Ish-zëvendëskryeministrja ishte thirrur për t’u njohur zyrtarisht me akuzat e reja, të cilat lidhen me gjashtë procedura të tjera tenderuese, përveç çështjeve që lidhen me Lotin 4 të Unazës së Madhe dhe Tunelin e Llogarasë, të cilat janë tashmë pjesë e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Zhvillimet e së premtes sollën kështu dy pamje paralele para godinës së SPAK: brenda, Balluku u njoh me akuzat e reja që rëndojnë ndaj saj, ndërsa jashtë, policia largoi protestuesit që prej më shumë se dy muajsh kërkojnë që hetimet të shtrihen mbi çdo aferë dhe përgjegjësit të vihen përpara drejtësisë sa më shpejt!