Skip to content
Kryesore

Dua Lipa nuk e bëri protestën të rëndësishme: Ajo tregoi se e tillë ishte prej kohësh

· 5 min lexim

Dua Lipa nuk e bëri protestën shqiptare të rëndësishme. Protesta ishte e rëndësishme prej kohësh, kishte mbushur rrugët, kishte sfiduar pushtetin dhe kishte tërhequr vëmendjen e mediave më të mëdha ndërkombëtare. Por reagimi i një prej artisteve më të famshme në botë i dha asaj një jehonë edhe më të jashtëzakonshme.

Ajo nuk e trajtoi protestën si një episod të parëndësishëm lokal dhe as si një debat që mund të shmangej për të mos cenuar marrëdhënie, interesa apo bashkëpunime. Në bisedën me akademiken dhe shkrimtaren shqiptare Lea Ypi në podcastin Service95 Book Club, këngëtarja foli hapur për “Revolucionin e Flamingove”, për vendosmërinë e protestuesve, për përgjegjësinë e politikanëve dhe për pyetjen thelbësore se kujt i shërbejnë vendimet që po merren për Shqipërinë.

Dua Lipa tha:

“Më pëlqen gjithashtu që quhet Revolucioni i Flamingove. Mendoj se kjo ka disa domethënie shumë të bukura. Mendoj se vendosmëria është e rëndësishme dhe, siç the edhe ti, ka një ndryshim shumë të madh në mënyrën se si njerëzit po protestojnë dhe si po i qasen kësaj situate. Është e rëndësishme që politikanët të mbahen përgjegjës dhe të pyetet: në rregull, kujt i shërben vërtet kjo? Në panoramën e përgjithshme, kush përfiton prej saj? Si po e bën kjo vendin tonë më të mirë dhe si do të merren vendimet në të ardhmen?

Duhet të them se më duket shumë frymëzuese të shohësh se sa shumë kujdesen vërtet njerëzit. Ditë pas dite, ata dalin në rrugë, sepse qeveria ka hapur këtë pjesë të një rezervati të bukur natyror për një kompleks luksoz në bregdet. Kjo është bërë një histori e madhe ndërkombëtare, sepse kompania që ka investuar në projekt është pjesërisht në pronësi të Jared Kushner dhe Ivanka Trump. Por ajo që më shqetëson në të vërtetë është parimi që qeveria mund të ndryshojë ligjin për të hequr mbrojtjen mjedisore pa asnjë lloj konsultimi publik.”

Me pak fjalë, ajo preku pikërisht thelbin politik, ekonomik dhe institucional të protestës.

Protesta kishte bërë tashmë jehonë të gjerë në botë. Media si The Guardian, Associated Press, Al Jazeera, Wired dhe të tjera kishin raportuar për mobilizimin e qytetarëve, projektet e lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, shqetësimet për zonat e mbrojtura dhe zemërimin në rritje ndaj qeverisë së Edi Ramës.

Bota e kishte parë tashmë protestën. Dua Lipa i dha një zë edhe më të fortë, atë zë që qeveria shqiptare po përpiqet me çdo kusht ta minimizojë.

Pas intervistës, vëmendje tërhoqi edhe një tjetër veprim i saj. Nga profili personal i këngëtares në Instagram nuk gjendeshin më disa fotografi të publikuara më herët nga pushimet në Kep Merli, një zonë në jug të Shqipërisë që ajo e kishte promovuar para miliona ndjekësve të saj si një prej vendeve më të bukura në botë.

Dua Lipa nuk ka dhënë një shpjegim publik për heqjen e fotografive. Megjithatë, momenti kur fotografitë u zhdukën nga profili, menjëherë pas qëndrimit të saj për mbrojtjen e natyrës, ka ngritur pikëpyetje dhe është komentuar gjerësisht.

Por reagimi i Dua Lipës merr edhe më shumë peshë për një arsye tjetër.

Babai i saj, Dukagjin Lipa, është shpallur nga qeveria investitor strategjik në Shqipëri për një projekt fotovoltaik në zonën e Fierit dhe Lushnjës. Familja Lipa ka pasur gjithashtu bashkëpunime dhe marrëdhënie publike me qeverinë e Edi Ramës dhe institucionet shqiptare.

Pikërisht për këtë arsye, Dua Lipa mund të kishte zgjedhur rrugën më të lehtë.

Mund të kishte heshtur.

Mund të kishte shmangur çdo deklaratë që vendoste qeverinë shqiptare përballë pyetjeve mbi ndryshimin e ligjeve, mbrojtjen e natyrës dhe interesat pas projekteve luksoze.

Mund të kishte zgjedhur marrëdhëniet dhe komoditetin.

Por ajo zgjodhi kauzën.

Zgjodhi të fliste për protestuesit, për natyrën, për llogaridhënien dhe për të drejtën e publikut që të konsultohet për vendime që prekin pasuritë e përbashkëta të vendit.

Ky është një reagim frymëzues jo vetëm për qytetarët, por edhe për personazhet publikë shqiptarë që vazhdojnë të heshtin. Edhe përballë një proteste që ka bërë jehonë në mbarë botën, vazhdojnë të sillen sikur nuk po ndodh asgjë.

Disa mund të heshtin për të mos prishur marrëdhëniet me pushtetin. Disa për të mos humbur një kontratë, një ftesë, një favor apo një përfitim të vogël. Të tjerë mund të presin ndonjë shpërblim të radhës për heshtjen e tyre.

Dua Lipa tregoi se mund të kesh bashkëpunime, njohje dhe interesa, por përsëri të mos e humbasësh të drejtën për të mbajtur një qëndrim, të mos e humbasësh dinjitetin tënd.

Tregoi se fama nuk është vetëm privilegj. Është edhe mundësi për t’i dhënë zë një kauze që pushteti do të preferonte ta minimizonte.

Ajo nuk e bëri protestën të rëndësishme.

Ajo tregoi se ajo ishte e tillë prej kohësh dhe, me zërin e saj, e bëri edhe më të pamundur që pushteti ta shpërfillte.