Skip to content
Kryesore

Po presin bojkot karburantesh? Pas shkrirjes së Bordit të Transparencës, nafta drejt 200 lekëve për litër

· 2 min lexim

Më pak se një muaj pas shkrirjes së Bordit të Transparencës, nafta po i afrohet sërish kufirit të 200 lekëve për litër. Në pikat e tregtimit, çmimi ka arritur deri në 198 lekë, ndërsa benzina po shitet deri në 189 lekë për litër.

Por pyetja nuk është më nëse duhet një bord tjetër, një mekanizëm i ri, një komision apo një strukturë shtesë që premton kontroll dhe përfundon duke e bërë tregun edhe më të paqartë. Shqipëria i ka provuar mekanizmat që supozohej të mbronin qytetarët dhe rezultati nuk ka qenë ulja e barrës, por mungesa e transparencës, favorizim i kompanive dhe çmime që vazhdojnë të mbeten ndër më të rëndat për konsumatorin, pavarësisht uljeve në bursë.

Bordi i Transparencës u ngrit si zgjidhje e jashtëzakonshme, por për vite me radhë çmimet caktoheshin realisht në interes të tyre. Tani bordi është shkrirë, por problemi mbetet i njëjtë. Kompanitë vendosin çmimet sipas kostove të furnizimit dhe dinamikave të tregut, ndërsa institucionet mjaftohen me shpjegimin se rritja vjen nga zhvillimet ndërkombëtare.

Në fund, gjithçka përkthehet në një faturë më të lartë për qytetarin. Jo vetëm në pompën e karburantit, por edhe në transport, ushqime, shërbime dhe çdo produkt tjetër që varet nga lëvizja e mallrave.

Atëherë, çfarë duhet të ndodhë që institucionet dhe kompanitë të reagojnë? Mos vallë çmimi i karburanteve duhet të “rregullohet” vetëm pasi qytetarët të organizojnë një bojkot kombëtar dhe të refuzojnë të furnizohen?

Përvoja e muajve të fundit ka treguar se thirrjet, ankesat dhe kërkesat për transparencë shpesh kalojnë pa përgjigje. Ndërsa bojkoti, kur është i organizuar dhe masiv, godet drejtpërdrejt aty ku kompanitë reagojnë më shpejt, te xhiroja dhe fitimi.

Askush nuk kërkon që tregu të kontrollohet me urdhra politikë apo me borde që nuk japin llogari. Qytetarët kërkojnë një treg realisht konkurrues, kontroll mbi abuzimet, transparencë mbi marzhet e fitimit dhe institucione që veprojnë përpara se çmimi të prekë 200 lekë për litër, jo pasi situata të jetë bërë e papërballueshme.

Nëse kompanitë dhe qeveria reagojnë vetëm kur qytetarët ndalojnë së bleri, atëherë ndoshta po i shtyjnë vetë konsumatorët drejt bojkotit. Sepse kur institucionet heshtin dhe mekanizmat dështojnë, qytetarit i mbetet fuqia e refuzimit dhe kontrolli mbi xhepin e tij.