Tragjedi në Klos! U rrëzua nga shkëmbinjtë te Ura e Vashës, humb jetën Erkin Lika, 39-vjeçari i grupit shqiptar të kërkim-shpëtimit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e djeshme në Klos, ku 39-vjeçari Erkin Lika ka humbur jetën pasi dyshohet se është rrëzuar nga shkëmbinjtë pranë Urës së Vashës dhe ka rënë në lumin Mat.
Sipas informacioneve paraprake, Lika ndodhej në zonë së bashku me grupin e tij gjatë një stërvitjeje me litar. Dyshohet se, teksa po fotografonte pjesëtarët e ekipit, ai ka rrëshqitur nga shkëmbinjtë, duke rënë në humnerë dhe duke humbur jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, në vend kanë mbërritur forcat e kërkim-shpëtimit dhe polumbarët e repartit RENEA, të cilët zhvilluan një operacion për gjetjen dhe nxjerrjen e trupit. Sipas informacioneve, kërkimet u përqendruan poshtë Urës së Vashës dhe në zonën përreth.
Erkin Lika ishte anëtar i një grupi shqiptar të kërkim-shpëtimit, i angazhuar në operacione për shpëtimin e personave në situata emergjente. Ai ishte gjithashtu një i apasionuar pas alpinizmit.
Rrethanat e plota të ngjarjes janë ende duke u hetuar.