Rama gjen fajtorët te review-t, por jo te qeverisja që po dëmton turizmin

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të fajësojë protestuesit për atë që e quan “goditje ndaj ekonomisë së turizmit”. Përmes një postimi në rrjetin X, ai foli për “terrorizëm dixhital” kundër bizneseve të mikpritjes dhe ndau një artikull të “The Tirana Examiner”, ku pretendohet se fushatat me review negative përbëjnë një “agresion ekonomik” ndaj Shqipërisë dhe familjeve që jetojnë nga turizmi.

Por përpara se të drejtojë gishtin te qytetarët, ndoshta kryeministri duhet të shohë njëherë nga qeverisja e tij.
Nëse ka një sektor që është goditur vazhdimisht ndër vite, nuk është për shkak të disa review-ve në internet. Është për shkak të problemeve që vetë shteti nuk ka arritur ose nuk ka dashur t’i zgjidhë.
Çdo sezon turistik shqiptarët dhe turistët përballen me të njëjtën panoramë. Punime në rrugë, kantierë ndërtimi, betoniera, pluhur dhe zhurmë në zonat më të frekuentuara bregdetare. Rrugë që hapen në kulmin e sezonit, ndërhyrje infrastrukturore që mund të ishin përfunduar shumë më herët, por që zhvillohen pikërisht kur vendi pret më shumë vizitorë.
Edhe aksionet për shembjen e ndërtimeve pa leje shpesh zhvillohen në mes të sezonit turistik. Pamjet e fadromave në vijën bregdetare, lokaleve që prishen dhe konflikteve me pronarët bëjnë xhiron e mediave. Nëse shqetësimi është imazhi i Shqipërisë, atëherë edhe këto janë pamje që ndikojnë drejtpërdrejt te perceptimi i turistëve.
Po ndotja e detit? Çdo verë publikohen pamje dhe denoncime për ujëra të zeza që derdhen në bregdet, ndërsa banorët dhe pushuesit ankohen për ndotjen në disa zona turistike. Kjo nuk është pasojë e një review-je. Është një problem i infrastrukturës dhe i menaxhimit publik.
Po mbetjet urbane? Grumbuj plehrash në zona turistike, kosha të tejmbushur dhe pastrim që shpesh nuk ndjek ritmin e fluksit të vizitorëve. Edhe kjo ndikon drejtpërdrejt në përvojën e turistit.
Po betonizimi? Shqipëria ka ndërtuar reputacionin e saj turistik mbi natyrën, bregdetin dhe peizazhin. Megjithatë, vit pas viti, hapësirat natyrore tkurren, zonat e mbrojtura vihen nën presion dhe bregdeti mbulohet nga ndërtime të reja. Turistët nuk vijnë për të parë një mur betoni. Vijnë për atë natyrë që po humbet gradualisht.
Edhe çmimet janë bërë pjesë e debatit. Jo vetëm shqiptarët, por edhe media prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për rritjen e fortë të kostove në disa zona turistike shqiptare. Kur një familje paguan çmime më të larta se në destinacione konkurruese të rajonit, problemi nuk është një koment në Google, por konkurrueshmëria e vetë tregut.
Turizmi përballet edhe me një krizë të dukshme të fuqisë punëtore. Mijëra shqiptarë janë larguar jashtë vendit për paga më të mira, ndërsa bizneset po mbështeten gjithnjë e më shumë te punonjës të huaj për të mbuluar mungesat. Ky është tregues i një tregu pune që nuk po arrin të mbajë punonjësit vendas dhe që ndikon edhe në cilësinë e shërbimit.
Edhe siguria në plazhe mbetet një shqetësim i përsëritur. Mjete lundruese që lëvizin pranë zonave të pushimit, kontrolle të pamjaftueshme dhe incidente që rikthehen pothuajse çdo verë. Turisti kërkon jo vetëm det të pastër, por edhe siguri.
Asnjë prej këtyre problemeve nuk u krijua nga protestuesit.
Asnjë review nuk hapi kantierë në kulmin e sezonit.
Asnjë koment në Google nuk derdhi ujëra të zeza në det.
Asnjë vlerësim me një yll nuk betonizoi bregdetin.
Asnjë protestues nuk vendosi çmime të papërballueshme.
Asnjë qytetar nuk krijoi mungesën e punonjësve apo problemet me sigurinë në plazhe.
Këto janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si është qeverisur turizmi ndër vite.
Një review mund të ndikojë përkohësisht te vlerësimi i një biznesi.
Por mënyra si qeveriset një vend është ajo që përcakton reputacionin e tij afatgjatë.
Dhe për këtë përgjegjësinë nuk e mban Google. Nuk e mbajnë protestuesit. E mban qeveria.