Skip to content
Kryesore

Nuk janë review-të që rrëzojnë biznese: Bojkoti i vërtetë ka ndryshuar historinë

· 4 min lexim

Reagimi i Policisë së Shtetit ndaj review-ve negative tregoi një gjë të rëndësishme. Brenda pak orësh u fol për mbi 10 mijë llogari në verifikim, për krime kompjuterike, për dëmtim të interesit ekonomik dhe për “forcën e ligjit”. Kjo tregon se pushteti e ka kuptuar se qytetarët kanë zbuluar një formë të re presioni.

Por pikërisht për këtë arsye protesta nuk duhet t’i japë askujt alibi.

Nëse qëllimi është të ushtrohet presion ndaj bizneseve që qytetarët besojnë se përfitojnë nga lidhjet me pushtetin, arma më e fortë nuk është review-ja e rreme. Është bojkoti i vërtetë.

Një review i sajuar mund t’i japë biznesit mundësinë të viktimizohet, platformave arsye për ta fshirë dhe institucioneve një justifikim për ta zhvendosur debatin nga problemi te protestuesit. Në vend që të diskutohet për lidhjet mes biznesit dhe pushtetit, për përdorimin e pronës publike apo të fondeve të shtetit, vëmendja përfundon te mënyra se si protestuan qytetarët.

Bojkotet që kanë ndryshuar kompani, drejtues, madje edhe ligje, janë mbështetur te një vendim shumë më i thjeshtë: qytetarët kanë ndaluar së financuari atë që kundërshtonin.

Historia e viteve të fundit tregon se bojkoti mbetet një nga format më të fuqishme të presionit ekonomik, sidomos kur qytetarët veprojnë së bashku. Shembujt më të afërt vijnë nga Europa dhe Ballkani.

Kroaci, në fillim të vitit 2025, qytetarët bojkotuan supermarketet për shkak të rritjes së çmimeve. Sipas të dhënave zyrtare, numri i blerjeve ra me rreth 44 për qind, ndërsa vlera e shitjeve u përgjysmua. Pas presionit, qeveria zgjeroi listën e produkteve me çmime të kufizuara dhe disa zinxhirë njoftuan ulje.

Pak ditë më vonë, i njëjti reagim u pa në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët bojkotuan zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve dhe shitjet ranë me afro 47 për qind krahasuar me javën paraardhëse. Më pas, qeveria njoftoi masa për kufizimin e marzheve të fitimit për disa produkte bazë.

Edhe në Serbi, mijëra qytetarë bojkotuan pesë zinxhirët më të mëdhenj të supermarketeve pas thirrjeve të organizatave për mbrojtjen e konsumatorëve. Të dhënat zyrtare treguan rënie të ndjeshme të transaksioneve gjatë ditës së bojkotit.

Një shembull tjetër vjen nga Danimarka, ku gjatë vitit 2025 qytetarët nisën të shmangnin produktet amerikane pas tensioneve politike për Groenlandën. Disa kompani pranuan publikisht rënien e shitjeve, ndërsa zinxhirët tregtarë filluan të evidentonin më qartë produktet europiane.

Të gjitha këto raste kanë një element të përbashkët. Askush nuk shpiku një përvojë dhe askush nuk la review të rreme. Qytetarët bënë diçka shumë më të fuqishme: ndaluan së paguari.

Ky është dallimi mes një review-je dhe një bojkoti.

Një review mund të krijojë zhurmë për disa orë ose disa ditë. Një bojkot krijon kosto për muaj, madje edhe për vite. Bizneset nuk ndryshojnë sepse dikush zemërohet në internet. Ndryshojnë kur humbasin klientët, partnerët dhe të ardhurat.

Prandaj protesta nuk duhet të bjerë në grackën e review-ve të rreme. Jo sepse e kërkon pushteti, por sepse kjo e dobëson vetë kauzën. Ajo i jep kundërshtarit mundësinë të paraqitet si viktimë dhe e largon debatin nga pyetjet që duhen bërë.

Një bojkot i vërtetë është shumë më i vështirë të sulmohet. Ai nuk bazohet te shpifja, por te një zgjedhje e lirë e konsumatorit. Askush nuk mund të detyrohet të pijë kafe në një lokal, të rezervojë një hotel, të marrë pjesë në një koncert apo të blejë një produkt kundër vullnetit të tij. Kur mijëra njerëz marrin të njëjtin vendim dhe e mbajnë atë në kohë, ai shndërrohet në një presion ekonomik që është shumë më i fortë se çdo koment në internet.

Historia e ka treguar vazhdimisht. Bojkotet nuk fitojnë sepse bëjnë më shumë zhurmë. Fitojnë sepse krijojnë më shumë kosto. Dhe kjo është arsyeja pse arma më e fortë e qytetarit nuk është një review. Është vendimi për të mos financuar më atë që kundërshton.