Skip to content
Kryesore

Protesta kundër qeverisë hyn në ditën e 42, sot revoltës i bashkohen edhe shqiptarët e diasporës

· 1 min lexim

Protesta kombëtare për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijon edhe këtë të shtunë, duke hyrë në ditën e saj të 42 radhazi. Protestuesit kanë bërë të ditur se tubimit të sotëm do t’i bashkohen edhe shqiptarë nga diaspora, të cilët prej javësh kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë lëvizje.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Një ditë më parë, pjesëmarrësit marshuan në disa prej akseve kryesore të Tiranës, duke brohoritur slogane si: “Qeveri e krimit”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jep dorëheqjen”.

Marshimi përshkoi edhe Rrugën e Kavajës, ndërsa protestuesit u ndalën për disa minuta në hyrje të zonës së njohur si Rruga e Ambasadave.

Gjatë tubimit, pjesëmarrësit hodhën akuza ndaj qeverisë për korrupsion dhe kërkuan ndryshime politike. Aktivisti Visar Dalipi, duke iu drejtuar protestuesve me megafon, u bëri thirrje qytetarëve që pretendojnë se janë kërcënuar t’u drejtohen përfaqësive diplomatike.

“Të gjithë ata që ndihen të kërcënuar dhe janë kërcënuar, duhet të bëjnë kërkesën në ambasadë”, deklaroi Dalipi gjatë protestës.