Skip to content
Kryesore

Zelensky: Rusia humbet rreth 30 mijë ushtarë çdo muaj, po dobësojmë ushtrinë e saj

· 2 min lexim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se forcat ukrainase po i shkaktojnë Rusisë humbje të mëdha në front, duke thënë se rreth 30 mijë ushtarë rusë eliminohen çdo muaj.

Gjatë fjalës së tij në forumin e industrisë së mbrojtjes të NATO-s, Zelensky theksoi se ritmi i avancimit të ushtrisë ruse është ngadalësuar ndjeshëm dhe se Ukraina po arrin të godasë objektiva strategjikë edhe thellë në territorin rus. Ai u bëri thirrje aleatëve të vazhdojnë mbështetjen ushtarake për Kievin.  

“A besoni vërtet se është e drejtë të lihet jashtë NATO-s një vend dhe një popull me këtë nivel aftësish mbrojtëse? Nëse ukrainasit tashmë dinë të luftojnë në këtë mënyrë, atëherë këto aftësi duhet të bëhen pjesë e mbrojtjes kolektive të aleancës. Kjo do të na bënte të gjithëve më të fortë”, deklaroi Zelensky.  

Sipas presidentit ukrainas, Rusia po pëson humbje të konsiderueshme njerëzore, ndërsa Ukraina ka zhvilluar kapacitete për të goditur objektiva ekonomikë dhe ushtarakë në thellësi të territorit rus. Ai kërkoi gjithashtu që Evropa të investojë më shumë në sistemet e mbrojtjes ajrore dhe në zhvillimin e alternativave ndaj sistemit amerikan Patriot.  

Megjithatë, shifra prej rreth 30 mijë ushtarësh rusë të eliminuar në muaj është një vlerësim i bërë nga pala ukrainase dhe nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.