Mos bini në kurth: Protesta nuk ka negociatorë të vetëshpallur!

Në prag të 4 korrikut, pushtetit i duhen dy gjëra: një pamje dhune dhe disa emra “të pranueshëm” për t’i ulur në tavolinë.
Ky është kurth.
Ata duan një përplasje, një provokim, një pamje të shkëputur nga konteksti, një vezë, që nesër ta paraqesin protestën si të dhunshme. Pastaj duan disa njerëz të vetëshpallur si negociatorë, që të thonë: “Po flasim me protestën.”
Por protesta nuk ka përfaqësues.
Askush nuk negocion në emër të qytetarëve, pa mandat nga qytetarët.
Kush shkon të flasë me qeverinë, flet vetëm për veten. Jo për sheshin. Jo për diasporën. Jo për ata që kanë protestuar. Jo për njerëzit që kanë sakrifikuar kohë, punë, qetësi dhe siguri për këtë kauzë.
Askush nuk ka të drejtë të negociojë në emër të qytetarëve që kanë dalë në protestë. Askush nuk ka të drejtë të mbyllë një revoltë që nuk e ka hapur vetë. Askush nuk ka të drejtë ta ulë zemërimin publik në një tryezë.
Protesta duhet të vazhdojë paqësore, masive, e vendosur dhe e pakapur.
Jo dhunë. Jo provokime. Jo përplasje të kota. Jo negociata pa mandat. Jo përfaqësues të vetëshpallur. Refuzojini publikisht.
Ata duan ta mbyllin protestën në tavolinë. Mbajeni në shesh.
Sepse kjo protestë nuk është e atij që kap mikrofonin dhe negocion për të gjithë. Është e qytetarëve!