Skip to content
Kryesore

Tragjedi në autostradën Durrës-Tiranë, autobusi kthehet në kurth vdekjeje me 4 viktima dhe 17 të plagosur: Dyshohet se shoferi pësoi arrest kardiak

· 2 min lexim

Një tragjedi e rëndë ka goditur mesditën e sotme autostradën Durrës-Tiranë, ku një autobus i linjës Berat-Tiranë u përmbys pranë QTU-së, duke u kthyer në një kurth vdekjeje për pasagjerët. Bilanci paraprak është i rëndë, me 4 viktima dhe të paktën 17 persona të plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë.

Sipas të dhënave paraprake, autobusi humbi papritur kontrollin, devijoi nga korsia e lëvizjes, u përplas me bordurat dhe barrierat mbrojtëse anësore, për t’u përmbysur më pas në kanal. Goditja e fortë shkaktoi pasoja fatale, ndërsa në vendngjarje u krijuan skena të rënda me pasagjerë të bllokuar brenda mjetit dhe ekipe emergjence që punuan për nxjerrjen e tyre.

Nga hetimet e para dyshohet se shoferi mund të ketë humbur kontrollin e autobusit si pasojë e një problemi të papritur shëndetësor. Një nga pistat kryesore që po verifikohet është se ai mund të ketë pësuar arrest kardiak në timon, ndërsa po hetohet edhe mundësia që aksidenti të jetë shkaktuar nga përgjumja gjatë drejtimit të mjetit.

Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore. Disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

Forcat e Policisë dhe grupi hetimor vijojnë punën në vendin e ngjarjes për të dokumentuar rrethanat dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të aksidentit, një prej ngjarjeve më të rënda rrugore të regjistruara në vend.