Skip to content
Kryesore

Tragjedi në burgun “313”/ Dy punonjës humbin jetën brenda pak orësh gjatë ushtrimit të detyrës

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë ka tronditur IEVP “Jordan Misja”, ku dy punonjës të institucionit kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëri tjetri, pasi pësuan gjendje të papritura shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, viktimat janë Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave me gradën Kryeinspektor.

Muhametaj pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore rreth orës 21:36 të mbrëmjes së 29 qershorit, ndërsa po zhvillohej instruktazhi për ndërrimin e shërbimit. Kolegët dhe personeli shëndetësor i institucionit i dhanë menjëherë ndihmën e parë dhe ai u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por nuk arriti t’i mbijetojë.

Vetëm pak orë më vonë, rreth mesnatës së 30 qershorit, edhe Pëllumb Vrana pësoi një gjendje të rëndë shëndetësore gjatë ushtrimit të detyrës në ambientet e institucionit. Pas ndihmës së parë nga kolegët dhe infermierja e burgut, ai u dërgua me urgjencë në QSUT, ku rreth orës 01:00 ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

Drejtoria e Burgjeve bën me dije se Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015 dhe shërbente në IEVP “Jordan Misja” që nga viti 2023. Me arsim ushtarak dhe gradën Komisar, ai vlerësohej për profesionalizmin dhe përkushtimin në detyrë.

Ndërkohë, Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, kishte dhënë kontribut të rëndësishëm në funksionimin dhe sigurinë e institucionit, duke fituar respektin e kolegëve për korrektësinë dhe përkushtimin e tij.

Në përfundim të reagimit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehu ngushëllimet për familjarët e dy punonjësve dhe nderoi kontributin e tyre në sistemin penitenciar shqiptar, duke theksuar se profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre do të mbeten një shembull për institucionin.