Qytetarët nuk dolën në shesh për të pritur një tjetër listë emrash

Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit që duan rol. I mungojnë proceset ku roli fitohet me besim, transparencë dhe votë.
Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme që ka nxjerrë protesta: kush ka të drejtë të flasë në emër të qytetarëve?
Për vite me radhë shqiptarët janë mësuar me të njëjtin model. Vendimet merren lart. Emrat caktohen lart. Listat bëhen lart. Pastaj qytetarëve u kërkohet vetëm t’i pranojnë.
Pikërisht kundër kësaj logjike kanë dalë në protestë.
Prandaj do të ishte paradoksale që një protestë qytetare të përfundonte duke pritur një tjetër listë emrash të vendosur nga dikush tjetër.
Qytetarët nuk dolën në shesh për të zëvendësuar një prapaskenë me një tjetër.
Nuk dolën që një grup të vendosë kush flet, kush negocion dhe kush përfaqëson protestën. Nuk dolën që disa njerëz të marrin drejtimin pa mandat. Dolën sepse janë lodhur nga një vend ku gjithçka vendoset mbi kokën e tyre.
Kjo nuk do të thotë se protesta nuk ka nevojë për njerëz të aftë. Përkundrazi. Ka nevojë për juristë, ekonomistë, urbanistë, gazetarë, aktivistë, profesorë, studentë dhe profesionistë që japin kontributin e tyre.
Por ekspertiza nuk është mandat.
Një jurist mund të shpjegojë ligjin. Një aktivist mund të ndihmojë organizimin. Një figurë publike mund të tërheqë vëmendje. Të gjitha këto janë të vlefshme. Por asnjëra nuk të jep të drejtën të flasësh në emër të mijëra qytetarëve.
Prandaj çdo listë emrash duhet të shoqërohet me një pyetje të thjeshtë:
Kush i zgjodhi?
Kush ua dha mandatin? Kujt i përgjigjen? A mund t’i kundërshtojnë qytetarët? A ka transparencë? A ka votë?
Pa këto, lista është thjesht një listë.
Kjo protestë nuk ka nevojë për një grup që merr drejtimin. Ka nevojë për një mënyrë që u jep qytetarëve të drejtën të vendosin.
Nëse qytetarët votojnë për orarin, vendin, formatin apo kërkesat, protesta bëhet më e fortë. Nëse pyesin “kush të votoi?” sa herë dikush flet në emër të tyre, protesta mbrohet nga kapja.
Sepse çdo lëvizje që nuk e sqaron përfaqësimin, herët a vonë rrezikon ta humbasë atë.
Kjo është pika ku protesta duhet të jetë më e mençur se sistemi që kundërshton.
Standardi duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Askush nuk përfaqëson askënd pa mandat.
As qeveria.
As partitë.
As grupet.
As individët.
Qytetarët nuk dolën në shesh për të pritur një tjetër listë emrash.
Dolën që, më në fund, të mos vendoset më për ta, pa ta.